Zidan: Të luajmë sikur nuk do të ketë ndeshje kthimi. E kam zili Ronaldon

Zidan: Të luajmë sikur nuk do të ketë ndeshje kthimi. E kam zili Ronaldon

 

Real Madrid duhet të zbresë në fushën e lojës në gjysmëfinalen e parë të Ligës së Kampioneve ndaj Atletiko Madrid me idenë që nuk ka ndeshje kthimi për të. Kjo është mënyra se si Zinedin Zidan po përgatit ndeshjen e nesërme, me qëllimin për të siguruar shumë shpejt finalen dhe vazhdimësinë në rrugën për titullin.

“E dimë rëndësinë e kësaj ndeshje. Duhet të mendojmë sikur nuk ka ndeshje kthimi, duhet të luajmë mirë që nga minuta e parë deri në mbyllje të sfidës”, tha ai në konferencën e sotme për shtyp.

“Nuk jemi favoritë”, insiston trajneri i madrilenëve. “Kjo është gjysmëfinale ndaj shanset janë 50 me 50. Duhet të bëjmë maksimumin për të fituar këtë ndeshje dhe asgjë tjetër. Titull dhe Champions? Ajo që mendoj tani është se jam i përqendruar në këtë sfidë, te e nesërmja, jo te ajo e të shtunës. Ajo që do të ndodhë më pas nuk e di dhe aktualisht nuk më intereson”.

Shpërqendrimet ndaj Atletikos nuk falen, pasi është një rival i cili ka bërë hapa para në mënyrë të vazhdueshme, duke u shfaqur rregullisht mes më të mirëve në Europë.

“Jemi të përgatitur për të luajtur përballë tyre. Por është e vërtetë që prej 4-5 vitesh janë në këto nivele dhe gjithmonë përmirësohen dhe na vënë në vështirësi, ashtu si shumë ekipe të tjera. Forca e tyre është që nuk dorëzohen kurrë, luftojnë dhe përdorin armët e tyre në mënyrën më të mirë”, deklaroi Zidan.

Padyshim që lideri i skuadrës mbetet Kristiano Ronaldo. “Si trajner, padyshim që Kristiano Ronaldo është finalizuesi më i mirë që kam stërvitur. Nuk kam luajtur asnjëherë me të, por kam luajtur me brazilianin Ronaldo, i cili shënonte gjithashtu shumë gola. I kam zili që të dy, pasi nuk dija të shënoja se ata dhe nuk e kisha këtë ndjesinë e golit që kanë ata”, tregoi trajneri i Realit.

Share this post