Leonardo da Vinçi, mishërimi i idealit humanist të Rilindjes së Artë

Leonardo da Vinçi, mishërimi i idealit humanist të Rilindjes së Artë

 

Sot në përvjetorin e vdekjes së mjeshtrit

Nga Albert Vataj

Viti 1519, kishte nisur për Leonardo da Vinçi udhën e ikjes. Të patëdytit në madhështinë e tij, vitet dhe hapat po i shteroheshin. Rilindja e Artë po gatitej të jepte një lamtumirë të dhimbshme. Arti, shkenca dhe hulumtimet po ndaheshin me atë që gjithçka e kishte ngritur në majë.

Koha e agonisë

Në jetën private të Leonardos, në vitet e pleqërisë shënohet një takim shumë i rëndësishëm, ai me Françesko Melzin, i biri i një fisniku, i cili do të hynte në studion e tij si nxënës. I riu i talentuar Melzi, do të bëhej shumë shpejt një nga miqtë e piktorit. Më 1517 Leonardo do ta pranonte ftesën e Françeskos I, që në atë vit kishte marrë fronin e Francës. Sovrani francez e vlerësonte shume artin italian dhe mbledh në oborrin e tij artistë të shumtë nga Italia. Ai i vuri në dispozicion Leonardos, i cili kishte ardhur në Francë me të riun Melzi, fermën e fshatit Cloux. Në këtë periudhë artisti nuk pranonte punë që kërkonin shumë impenjim. Dora e djathtë i’u paralizua dhe, edhe pse mund të punonte me të majtën, preferonte t’ia linte pikturat nxënësit të tij Melzi. Leonardo tashmë 67-vjeçar, e prekte gjithmonë e më rrallë penelin. Më 1519 Leonardo sëmuret rëndë. Më 2 maj të po këtij viti, do të ndahej nga jeta dhe do të varrosej në Saint Fiorentin, në Amboise, ashtu siç e kishte lënë në testamentin e tij. Për fat të keq, nuk ka ngelur asnjë gjurmë nga varri i tij. Sipas amanetit të lënë arkivoli u ndoq nga 60 lypsa dhe u varros në Kapelën e Shën Hubertit në Kështjellën e Amboise.

Mjeshtri i mjeshtrave

Leonardo da Vinçi u lind më 15 prill 1452 në Ankiano të Vinçit. Erdhi dhe iku për të mbetur në historinë e artit, në kujtesën e botës, në adhurimin e gjeneratave, si mjeshtri i mjeshtrave.

E ç’nuk ishte ai që do të mbetet edhe sot një kresht krenarie dhe kërshërie e kumtimit dhe kungimit; piktor, skulptor, shkencëtar vizionar, dijetar, arkitekt, muzikant, matematicien, inxhinier, shpikës, anatomist, gjeolog, hartograf, botanist dhe shkrimtar. Krejtkund ai shkëlqeu duke mbetur në mbamendjen Rilindjes italiane si i paarritshëm. Bashkë me Mikelanxhelon dhe Raffaelin përbën trininë e shenjtë të Rilindjes së Artit, periudhë, e cila solli një shkëputje të hovshme cilësore të mjeteve shprehës, forcës së kumtimit, finesës dhe tonit koloristik.

Kreshta e epërme e gjenialitetit

Gjenialiteti i tij është i pakrahasueshëm edhe sot. Ishte njeri i kuriozitetit të pashuar dhe imagjinatës së ethshme krijuese. Leonardo është konsideruar gjerësisht si një nga piktorët më të mëdhenj të të gjitha kohërave dhe ndoshta personi me talentin më të gjithanshëm që ka jetuar ndonjëherë. Sipas historianes së artit Helen Gardner, shtrirja dhe thellësia e interesave të tij ishin të pashembullta, mendja dhe personaliteti i tij ishin mbinjerëzor. Leonardo (v. 1519) njihet kryesisht si piktor. Ndër veprat e tij, Mona Lisa është portreti më i famshëm. Darka e Fundit mbetet piktura më e riprodhuar fetare e të gjitha kohërave. Vizatimi “Njeriu Vitruvian” konsiderohet si ikonë kulturore, e riprodhuar në objekte të ndryshme si në monedhën euro, tekste shkollore, dhe aksesor komerciale.

Gjeniu dhe gratë

Nga dëshmitë dhe rrëfenjat e ardhura nëpërmjet shënimesh dhe format e tjera, dukej që Leonardo nuk ka pasur kurrë lidhje të ngushta me gra. Madje në vitin 1476 u sulmua nga një padi anonime për kontakte homoseksuale me një model 17-vjeçar, Xhakopo Saltareli. Ai u padit së bashku me tre të rinj të tjerë për sjellje homoseksuale dhe u la i lirë për mungesë provash. Për një farë kohe mjeshtri i madh mbeti nën mbikëqyrjen e “Zyrtarëve të natës”, një lloj “mbrojtësish moral të Rilindjes”.

Në gjurmën e kryeveprës së kryeveprave?

Titulli i Xhokondës apo Mona Lizës, duhet të ishte në të vërtetë Portreti i damës, duke qenë se deri më sot nuk është bërë i mundur asnjë identifikim i sigurt i gruas së portretit. Xhorxho Vasari tregon se Leonardo ka pikturuar gruan e tregtarit fiorentin Françesko del Xhokondo, prej nga vinte edhe titulli i pikturës. Ka mundësi që Leonardo ta ketë marrë këtë porosi më 1503, kur Liza ishte 24 vjeç. Sipas burimeve të tjera, vepra ka qenë e porositur nga Xhuliano de Mediçi dhe përfaqëson “një farë dame”, ndoshta një kurtizane. Ka shumë mundësi që në punë e sipër, artisti t’i jetë larguar projektit fillestar duke transformuar kështu një portret realist, në një vepër ideale, në një kryevepër të pashoqe. Piktura nuk do t’i dorëzohej asnjëherë atij që e porositi dhe artisti do ta mbante gjithmonë me vete. Rafaelo ka mundësi qe ta ketë parë veprën në studion e Leonardos përpara se ta përfundonte. Vepra e Rafaelos, Portreti i Madalena Donit, paraqet një grua në të njëjtën pozë si Xhokonda, edhe pse Rafaelo nuk ka vënë në dukje as buzëqeshjen enigmatike, as peizazhin e sfumuar, as ngjyrën e errët të kromuar të pikturës origjinale, duke realizuar kështu një vepër, e cila i qëndron larg tërheqjes misterioze të Monalizës.

Takimi i Leonardos me Mikelanxhelon

Në Firence, aty diku midis viteve 1503 dhe 1506, do të ndodhte takimi i dy gjenive të mëdhenj: Leonardo da Vinçit dhe Mikelanxhelo Bunarotit. Leonardo i kishte kaluar tashmë të pesëdhjetat dhe mund të mburrej me karrierën e tij të një niveli të lartë, ndërsa për Mikelanxhelon sapo kishte filluar të flitej rreth veprave të tij të mëdha. Ai kishte marrë formimin në Firence dhe Davidi i tij (1501-1504) përfaqësonte skulpturën e parë të vërtetë monumentale, që nga koha e Antikitetit. Një komision artistësh, ku bënte pjesë edhe Leonardo, vendosi ta zgjidhte Davidin si simbol të Republikës së Firences dhe ta vendoste atë në pjesën e jashtme të Palazzo della Signoria në Firence. Në atë periudhë konkurrenca midis artistëve cilësohej si pjesë e vetë profesionit: vetëm nga përplasja e të dyja palëve, mund të lindnin rezultatet maksimale. Ndërkohë që Mikelanxhelo e konsideronte skulpturën si formën më të lartë të artit, Leonardo shprehte në shkrimet e tij një lloj skepticizmi në lidhje me këtë. Pavarësisht kësaj, Leonardo ngelej shumë i befasuar nga nudot heroike të Mikelanxhelos. Por, Leonardo fshihej tek theksimi i tepruar i muskulaturës. Siç mund të shihet tek Nudo maschile (1506-1508) ai e ka kopjuar Davidin, duke i dhënë figurës përmasa më të plota dhe të rënda. Më 1503 do të vinte një sfidë e drejtpërdrejtë midis dy artistëve: qeveria fiorentine vendosi t’i ngarkonte Leonardos dhe Mikelanxhelos, detyrën e afreskimit të sallës së Maggior Consiglio, të Palazzo della Signoria.

Akti i krijimit

Vetëm 17 piktura e asnjë prej gdhendjeve të tij, kanë mbijetuar deri në ditët tona. Leonardo shpesh, projektonte piktura të përmasave të mëdha, ideonte me shumë shënime e skica, vetëm për t´i lënë në fund në projekte të pambaruara. Ende më mbresëlënëse se punët e tij artistike qenë studimet në fushën shkencore e inxhinierike, regjistruar 8.000 faqe shënimesh e skicash që ndërthurin artet dhe shkencën. Leonardo shkruante me të majtën dhe shpesh e përdorte shkrimin pasqyrë, pra shkruante nga e djathta në të majtë, gjatë gjithë jetës së tij. Afria e tij me shkencat ishte e llojit vëzhgues: ai kërkonte të kuptonte dukuritë duke i përshkruar e rifiguruar gjer në hollësitë më të imta e nuk theksonte eksperimentet apo shtjellimet teorike. Sipas Leonardos, shkenca është bija e përvojës.  Gjatë jetës së tij, projektoi një enciklopedi të madhe, që bazohet mbi skicat e hollësishme të çdo gjëje.

Da Vinçi, ku pikëtakohen shkenca dhe arti bashkëkohor

Një nga vizatimet më të famshme të Leonardo da Vinçit – Njeriu Vitruvian – është cilësuar si shembull i përpjekjeve për të bashkuar matematikën, artin dhe shkencën. “Njeriu Vitruvian” është skicë e hollësishme e trupit të njeriut, e vizatuar në qendër të një katrori dhe rrethi, me krahët dhe këmbët e shtrira. Krahët dhe këmbët prekin skajet e katrorit dhe rrethit duke treguar stërzgjatje, si për të lënë të kuptohet se njeriu sfidon çdo ndrydhje dhe është i prirur të kapërcejë çdo kufi, sapo një kufizim i vendoset. Me këtë vizatim, Leonardo merr  në konsiderate thellësinë dhe madhësinë trupore, simetrinë dhe lidhjet gjeometrike, duke u bazuar në idetë e Vitruviusit – studiues, artist, projektues, inxhinier dhe arkitekt i lashtë romak.

Share this post