Përfundon takimi Rama-Basha te Nishani

Përfundon takimi Rama-Basha te Nishani

 

Kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha kanë përfunduar takimin 3 orësh në zyrën e Presidentit Bujar Nishani.

I pari që ka lënë Presidencën ka qënë kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga kreu i grupit parlamentar Gramoz Ruçi. Ndërsa kreu i opozitës Lulzim Basha ka dalë më vonë nga selia e kreut të shtetit.

Takimi i thirrur nga kreu i shtetit filloi në orën 10:00, pas mbërritjes në Presidencë të Edi Ramës dhe Gramoz Ruçit e më pas Lulzim Bashës dhe Edi Palokës. Palët kanë shmangur ndërveprimet në ato pak minuta që kanë qenë para kamerave dhe nuk ka ende detaje se çfarë u diskutua në takimin e ndërmjetësuar me shpresën për t’i dhënë fund krizës 3-mujore.

I pari në seline e Presidentit Bujar Nishani mbërriti kryeministri Edi Rama. Ai përshkoi në këmbë rrugën nga Kryeministria, ku ndodhet edhe çadra e protestës, dhe hyri në selinë e kreut të shtetit për takimin me kryetarin e Partisë Demokratike. Rama shoqërohej nga Gramoz Ruçi dhe Sekretari i Përgjithshëm, Engjëll Agaci, i cili përpara Presidencës është larguar. Rama dhe Ruçi hynë brenda për takimin.

Pak më vonë, në Presidencë mbërriti Lulzim Basha dhe Edi Paloka. Të dy udhëtonin me një automjet dhe së bashku u futën në selinë e kreut të shtetit për takimin.

Për këtë takim u lejua vetëm një mundësi e shkurtër për foto dhe pamje filmike dhe gjatë kësaj kohe nuk pati asnjë shtrëngim duarsh.

Kamerat janë lejuar të filmojnë më pak se 2 minuta këtë takim, mjaftueshëm sa për të kuptuar se dy liderët kanë shmangur përgjatë kësaj kohe çdo shikim mes njëri-tjetrit. Por, buzëqeshjet e shkëmbyera me Presidentin e Republikës nuk kanë munguar dhe kreu i shtetit, edhe përgjatë këtyre minutave, ka luajtur rolin e negociatorit, duke biseduar herë me njërin e herë me tjetrin, ndërsa Paloka dhe Ruçi nuk janë bërë pjesë e bisedave të shkurtra.

Të katërt kanë mbërritur në tryezën e negociatave të Presidentit të Republikës me një dosje përpara, të cilin Basha nxitoi ta hapë përpara mediave. Mediat janë larguar nga garda për t’i hapur rrugën më pas një takimi kokë më kokë mes dy liderve politikë në prani të kreut të shtetit, në pritje të një vendimi që mund të shënojë pikën e kthesës për këtë krizë politike gati 3-mujore.

Share this post