Rama: Ja oferta jonë, por PD e refuzoi

 Rama: Ja oferta jonë, por PD e refuzoi

Raundi i dytë i bisedimeve mes Kryeministrit Edi Rama dhe Lulzim Bashës në Presidencë ka zgjatur rreth dy orë dhe në përfundim të tij, shefi i Qeverisë foli për ofertën që i ka bërë opozitës.

“Jemi në të njëjtin pozicion që kemi qenë dje! Oferta që unë i kam bërë Partisë Demokratike, është ajo e ditura, për të ndërtuar një mekanizëm monitorimi të zgjedhjeve ku Partia Demokratike të ketë të dy sytë në proces nga brenda qeverisë me një zv.Kryeministër që të propozohet nga PD dhe së bashku me tre përfaqësues të SHBA, BE dhe OSBE-së të drejtojë një Task Forcë për të siguruar që shteti dhe asetet shtetërore nuk keqpërdoren për fushatë elektorale. Të ketë tre zv.ministra të propozuar nga PD, por jo nga radhët e PD që të vendosen në Ministrinë e Brendshme, Ministrinë e Drejtësisë dhe Ministrinë e Arsimit. Edhe këta të tre të jenë po ashtu të shoqëruar nga tre përfaqësues të komunitetit ndërkombëtarë në rolin e monitoruesve për çdo ankesë dhe akuzë lidhur me rolin e policisë, burgjeve dhe rolin e drejtorisë së burgjeve në këtë procesin zgjedhor dhe po ashtu në gjithë sektorin e arsimit për të garantuar çdo pretendim për intimidim të mësuesve dhe nxënësve të adresohet në kohë reale dhe të merren masa në kohë reale”, tha Rama.
“Këtë gjë, unë në krye të opozitës nuk e kam pritur as në ëndrrën time më të bukur, por është diçka që duhet dhe adreson gjithë pikat e raporteve të OSBE.ODIHR, ku flitet për avantazhet e padrejta që krijon makineria shtetërore kundër opozitës”, vijoi Kryeministri.
Pyetjes së gazetarëve nëse oferta është pranuar nga opozita, Rama iu përgjigj me pesimizëm. 
“Këtë i takon kryetarit të Partisë Demokratike që ta thotë, por nga biseda që pata mund të them që jo. Marrëveshje nuk ka, por më shumë nga ana jonë për marrëveshje nuk do të ketë”, tha Kryeministri.
Kryeministri u shpreh i gatshëm për të tjera takime me Lulzim Bashën, por… “Data e zgjedhjeve është 18 qershori dhe kohë nuk ka më”, shtoi ai.

Share this post