Ngërçi politik, zyrtari i DASH sot në Tiranë. Zbardhet axhenda, nga Rama e Meta tek Basha dhe kritikët e tij brenda PD

Ngërçi politik, zyrtari i DASH sot në Tiranë. Zbardhet axhenda, nga Rama e Meta tek Basha dhe kritikët e tij brenda PD

Hoyt Brian Yee vjen sot paradite në Tiranë në kuadër të gjetjes së një zgjidhje për ngërçin politik.

Zyrtari i lartë i DASH i njohur ndryshe si “Buldozeri”, është një njohës shumë i mirë i çështjeve të Ballkanit, pasi ka shërbyer në disa misione në këto vende.
Vetëm një ditë para mbërritjes së tij në Tiranë, zëvendës ndihmës-sekretari Amerikan i Shtetit, Hoyt Brian Yee ka bërë një apel për të gjitha vendet e rajonit, përfshirë Shqipërinë.
Ai thotë se qytetaret i japin besim politikanëve për tu përballur në fushën e betejës që është Parlamenti dhe jo bojkoti i tij.
“Parlamentet duhet të përfaqësojnë dhe mbrojnë interesat e qytetarëve. Deputetët që bojkotojnë Parlamentin shmangin përgjegjësinë e tyre dhe injorojnë këshillën e ish-Presidentit të SHBA-ve, Theodore Roosevelt, se besimi i takon njeriut që është në të vërtetë në fushë betejë, jo njeriut që tregon se si të pengojë më të fortin” tha Yee, sipas European Western Balkans.
Ai aktualisht ndodhet në Mal të zi, shtet gjithashtu i përfshirë nga kriza politike. Ngërçi politik në Tiranë ka detyruar Departamentin Amerikan të Shtetit të dërgojë në Shqipëri, Zv/ ndihmës sekretarin amerikan për Europën dhe Euroazinë, Hojt Brian Yee, me qëllim gjetjen e një gjuhe të përbashkët mes krerëve politikë.
Yee takim me Ramën në 10:30 në Kryeministri
Yee pritet të takojë në orën 10:30 me kreun e qeverisë Rama. Mësohet se do të takohet me kreun e Kuvendit njëkohësisht dhe presidentin e zgjedhur në orën 11:30 e ndërsa në orën 14:45 me liderin e PD Basha.
Përpara marrjes së detyrës në departamentin e shtetit, Yee ka qenë zv/ambasador amerikan në Zagreb, ku ka shërbyer për tre vite.
Por më herët ai ka qenë drejtor për çështjet europiane dhe këshillin e sigurisë kombëtare amerikane si dhe zv/ Drejtor në NATO. Gjatë karrierës së tij Yee ka shërbyer edhe në Greqi e Mal të Zi.
Basha: Le ta dëgjojë çdo mik i huaj, nuk ka kthim pas
Një ditë para vizitës së zyrtarit të SHBA në Tiranë, Basha deklaroi se nuk ka rrugë tjetër përveç qeverisë teknike, duke lënë të kuptohet se nuk lëviz nga kërkesat e tij.
Një deklaratë e tillë mund të interpretohet si një sinjal për zyrtarin e SHBA, që nesër do të vizitojë Shqipërinë në përpjekje për të gjetur një zgjidhje.
“Le ta dëgjojë çdo mik, çdo mbështetës, çdo qytetar i Republikës së re, çdo shqiptar që i do të mirën vetes së vet, familjes së vet dhe vendit, çdo mik i huaj, ta dëgjojnë miqtë tanë, ta dëgjojnë kundërshtarët tanë, zgjidhja tjetër është kjo; ose do ta çmontojmë krimin dhe drogën në pushtet e do të rikthejmë pushtetin dhe Shqipërinë qytetarëve.
Zgjedhje të lira e të ndershme, ose do ta përmbysim republikën e vjetër përmes bashkimit, marshimit, qëndresës popullore të qytetarëve të Republikës së re.
Rrugë tjetër nuk ka. Në një mënyrë apo tjetër, krimi do të çmontohet, droga do të çmontohet , republika e vjetër do të përmbyset” deklaroi ai.
Hoyt Brian Yee do të takojë kryetarin e PD, Lulzim Basha dhe kryeministrin Edi Rama për të ndërmjetësuar për një zgjidhje, ndërsa para vizitës nga Mali i Zi deklaroi se është kundër bojkotit.
Zyrtari i DASH takim të veçantë me 4 deputetet ‘rebelë’ të PD
Zyrtari i lartë i DASH, Hoyt Brian Yee do të vijë sot në Tiranë me qëllim për të bindur Bashën që të futet në zgjedhjet e 18 qershorit.
Amerikani përpos Ramës dhe Bashës ka kërkuar një takim edhe me grupin ‘rebel’ të PD, që kanë dalë kundër kryetarit të PD.
Hoyt Brian Yee, sipas burimeve të Report Tv ka kërkuar që të realizojë një takim me deputetët e grupit të PD, Eduard Selami, Majlinda Bregu, Jozefina Topalli dhe Astrit Patozi.
Të katër deputetët kanë kritikuar hapur disa nga vendimet e Lulzim Bashës, përfshirë bojkotin e Kuvendit dhe zgjedhjeve të 18 qershorit.
Zyrtari i lartë i DASH ka kërkuar takim me katër deputetët e djathtë për t’u njohur me mendimin ndryshe në PD.
Megjithatë, pavarësisht zërave kundër në mbledhjet e grupit dhe në media të katër deputetëve, Basha është ai që do të marrë vendimin, ndërsa vazhdon që të qëndrojë në kërkesën e tij për qeveri teknike.(Shqiptarja.com)

Share this post