Opozita drejt negociatave për zgjidhje, me garancinë e SHBA

Opozita drejt negociatave për zgjidhje, me garancinë e SHBA

18 Qershori bie, nëse Rama dhe Basha arrijnë një marëveshje në bazë të propozimeve që solli në Tiranë, David McAllister, e pasuruar më tej me propozime te tjera. “Zgjedhjet me opozitën shtyhen për një datë të pacaktuar”, sqaroi një burim pranë negociatorëve të opozitës për Lapsi.al, duke vazhduar se “data e zgjedhjeve do të varet nga koha që do të marrë marrëveshja për t’u vënë në zbatim”.

Por një burim tjetër pranë kryeministrit, tha për Lapsi.al se “Rama nuk pranon të negociojë datën e zgjedhjeve dhe insiston që të mos lëvizë nga 18 Qershori”. Situata është pezull për shkak se pritet një PO nga Edi Rama për shtyrjen e zgjedhjeve, gjë që ka shumë mundësi të ndodhë, pasi kjo ka qenë edhe në konceptin e paketës së parë nga gjermani David McAllister.

Duke llogaritur që PS e ka nisur fushatën, kuptohet që Rama tenton një datë sa më afër 18 Qershorit, ndërsa e kundërta synohet nga Basha.

Marrëveshja në negociim ndahet në dy formate. E para është pjesa politike e saj, ndërsa e dyta është pjesa teknike.

Politikisht, që nga momenti që PD rikthehet në negociata, ka lënë pas krahëve kërkesën për dorëheqjen e Edi Ramës si kryeministër dhe pranon të negociojë një zv.kryeministër dhe 4 ministra teknikë, shtuar këtu edhe kryetarin e KQZ-së. Opozita është kujdesur që marrëveshja të ketë edhe garancinë e SHBA, pas kontakteve me zyrtarin e lartë të Departamentit të Shtetit, Hoyt Bryan Yee.

Nga ana tjetër, Edi Rama pritet të pranojë se 18 Qershori ka rënë dhe se 4 ministra dhe zv.kryeministrin mund t’i zëvëndësojë me njerëz apolitikë, duke ruajtur shumicën në KQZ.

Duke qenë se president u zgjodh Ilir Meta është djegur propozimi për një president të opozitës, i parashikuar nga gjermani McAllister. Kjo “humbje” e opozitës tentohet të rikuperohet në negociata me votimin elektronik.

Propozimi i McAllister është pasuruar edhe një sërë propozimesh që kanë të bëjnë me ndryshimet në Kodin Zgjedhor. “Reforma zgjedhore është një hapësirë e pafundme dhe teknikalitetet për t’u ndryshuar janë të shumta, për shkak të mosbesimit që ekziston mes palëve politike” tha një zyrtar i opozitës për Lapsi.al.

Koha për t’i bërë të zbatueshme është e vështirë të parashikohet. Gjithçka do të varet nga vullneti për të pasur marrëveshje.Maksimumi që mund të marrë opozita nga negociatat është votim i plotë elektronik, gjë që parashikon ndryshim rrënjësor të Kodit Zgjedhor. Nëse kjo nuk arrihet, kërkesë e palëkundur e Partisë Demokratike është identifikimi elektronik i votuesit. Koha e nevojshme për këtë, është sa blerja e pajisjeve dhe vënia e tyre në funksionim. Shenjat e gishtërinjve janë tashmë në database-n e Aleat.

Numërimi elektronik është akoma më i thjeshtë, sërish në varësi të mjeteve teknologjike.

Ç’ka mbetet për t’u diskutuar mes palëve është votimi elektronik. Një proces që sipas socialistëve ka dështuar në shumicën e vendeve që e kanë eksperimentuar.

“Perceptimi është se jemi në të njëjtën klimë dhe nëse Edi Rama nuk pranon të plotësohen gjërat esenciale të paketës, vendimi i opozitës mbetet i hapur” tha për Lapsi.al zyrtari pranë opozitës.

 

Share this post