Shkurtohet afati, me ligjin e ri pasuria e deputetëve do të kontrollohet çdo 2 vjet

Shkurtohet afati, me ligjin e ri pasuria e deputetëve do të kontrollohet çdo 2 vjet

Pas drejtësisë, objekt i kontrollit dhe i verifikimit të ligjshmërisë së pasurive, do të jetë politika. 140 deputetë të Parlamentit Shqiptar do t’i nënshtrohen kontrollit të ligjshmërisë së pasurive të deklaruara si dhe hetimit për pasuritë e fshehura brenda dhe jashtë vendit.

Kështu parashikojnë ndryshimet e miratuara nga Parlamenti në ligjin për deklarimin e kontrollin e pasurive.
Ndryshimet reflektuan rekomandimin GRECO-s, që parashikonte se: “Deklarimet e pasurive të deputetëve të jenë objekt i kontrolleve të plota dhe më të shpeshta”. Në këtë kuadër, neni 9 i projektligji ndryshoi nenin 25/1 të ligjit ekzistues, duke zvogëluar intervalin kohor të kryerjes së kontrollit të plotë të pasurisë së deputetëve, 1 herë në 2 vjet.

Por, meqenëse edhe afati kohor në ligjin ekzistues nuk është zbatuar për shkak të arsyeve të ndryshme, ligji i ri detyron ILDKP të nisë sa më parë kontrollin e pasurisë së 140 ligjvënësve.
Gjatë shqyrtimit dhe miratimit të ndryshimeve në ligj, ekspertët e misioneve të EURALIUS dhe OBDAT, i kërkuan Kuvendit që të rriste numrin e inspektorëve të ILDKP.

 

Share this post