Vasili: Paketa McAllister të zbatohet nga të dyja palët

Vasili: Paketa McAllister të zbatohet nga të dyja palët

Menjëherë pasi Partia Demokratike bëri të ditur ecurinë e negociatave ka reaguar edhe kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili.

Ai thotë se nuk duhet humbur asnjë orë më shumë për zgjidhjen e menjëhershme të situatës politike, duke theksuar dhe njëherë se “LSI është e gatshme të kthejë edhe postin e Presidentit të Republikës në shërbim të zgjidhjes së shpejtë të krizës”.

“Nuk duhet humbur asnjë orë më shumë për zgjidhjen e menjëhershme të situatës aktuale politike. Lëvizja Socialiste për Integrim i ka qëndruar dhe i qëndron pikë për pikë kompromisit të z. McAllister dhe të mbështetur nga z. Fleckenstein dhe nuk ka nevojë të diskutohet më. Paketa duhet të zbatohet pikë për pikë nga të dy palët. Boll më me këtë teatër jo transparent. Përgjegjësitë për bllokimin e zgjidhjes janë të atyre që nuk e mbështetën dhe nuk e mbështesin edhe tani propozimin e z. McAllister. Pata paralajmëruar publikisht se vizita e Zv.Ndihmës Sekretarit të Shtetit, z. Hoyt Brian Yee ishte një shans për kompromisin. Duhet t’i jepet fund një orë e më parë të gjitha lojërave politike, që trondisin stabilitetin dhe sigurinë e vendit dhe të qytetarëve. Lëvizja Socialiste për Integrim është e gatshme të kthejë edhe postin e Presidentit të Republikës në shërbim të zgjidhjes së shpejtë të krizës”, thuhet në deklaratën e Vasilit.

Share this post