Super e hëna politike. Gjithçka gati për Kuvendin

Super e hëna politike. Gjithçka gati për Kuvendin

Seanca e jashtëzakonshme pasdite do të ketë një rend dite të ngjeshur me vendime të rëndësishme, por gjithashtu pritet të jetë nga ato seanca të rralla ku mbizotëron konsensusi i plotë.

Me miratimin në mesditë të dekreteve nga presidenti për 7 anëtarët teknikë të qeverisë, Kuvendi do të votojë me konsensus këtë pjesë të marrëveshjes Rama-Basha.

Në axhendën e Parlamentit është edhe miratimi i një pakete ligjore që ashpërson në Kodin Penal shit-blerjen e votës, vendos rregulla të reja në ligjin e partive për financimin e tyre dhe përcakton me saktësi trasnmetimin mediatik të fushtës.

Mbledhja e Parlamentit përkon edhe me tërheqjen e padisë në Kolegjin Zgjedhor kundër Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për tejkalimin e afatit të dorëzimit të listave të kandidatëve për deputet.

Një tërheqje kjo që u shkon për shtat të gjithëve, përsa kohë opozita vetë do të regjistrohet dhe do të dorëzojë listat përtej afateve të parashikuara ng Kodi, sipas një vendimi të pritshëm të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Kur të merret ky vendim, kryetari i KQZ nuk do të jetë më Denar Biba. Dorëheqja e tij, me argumentin se i shërbente krijimit të besimit për zgjedhjet, u pranua nga komisioni i ligjeve, i cili po kryen formalitet të fundit proceduriale përpara se në krye të KQZ-së të votohet Klement Zguri i opozitës dhe në krye të Avokatit të Popullit, Erinda Ballanca.

Seanca e së hënës, që rikthen Partinë Demokratike në Parlament 3 muaj pas bojkotit të saj, do të marrë edhe një vendim tjetër shumë të rëndësishëm.

Plotësimin e 2 komisioneve të vettingut, atë të verifikimit dhe të përzgjedhjes së kandidatëve me përkatësisht me 3 dhe 6 anëtarë të opozitës.

Me plotësimin e këtyre vendeve nisin edhe afatet ligjore për votimin përfundimtar të 25 anëtarëve që do të bëjnë vettingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Çka do të thotë se Parlamenti do të duhet të mblidhet sërish në një seancë tjetër të jashtëzakonshme në kulmin e fushatës elektorale për të miratuar në bllok me shumicë të cilësuar prej 84 votash emrat e atyre që të bëjnë vettingun.

Share this post