Ivanji: Në Kosovë po ndryshon identiteti nga kombëtar në fetar

Ivanji: Në Kosovë po ndryshon identiteti nga kombëtar në fetar

Portali gjerman ‘mdr.de’ ka botuar një analizë gjithëpërfshirëse të Andrej Ivanji mbi dukurinë e përhapjes së islamizmit në Kosovën e pasluftës.

Autori e nis përshkrimin me gjendjen e pashpresë sociale në vend dhe dukuritë negative që po i zënë frymën Kosovës.

“…por në kryeqytet sheh fare pak nga mizerja e përgjithshme sociale”, shkruan ai në përshkrimin për Prishtinën.

Autori i artikullit shprehet i habitur që ‘vetëm rrallë e tek do të shohësh ndonjë grua me mbulesë koke, me hixhab ose niqap, ose madje edhe me burka’.

Duke e cilësuar luftën e shqiptarëve kundër Serbisë si ‘luftë e pastër për çlirim kombëtar’, ai ka bërë një paralele me luftrat në rajon.

“Në kundërshtim me luftrat në Kroaci dhe në Bosnjë pas shpërbërjes së Jugosllavisë në vitin 1991, lufta çlirimtare e shqiptarëve në Kosovë ishte e drejtuar kundër shtypjes nga ana e Serbisë e vetëm fare pak kishte të bënte me religjionin. Ishte një konflikt etnik, bëhej fjalë për të drejtat qytetare dhe për vetëvendosje. Edhe në rastet kur, sipas një sondazhi të bërë në vitin 2001 (në fakt, regjistrimi), 95.61 e popullatës së Kosovës deklaroheshin si besimtarë myslimanë, islami për shqiptarët nuk ka pasur kurrë rëndësi qendrore ose mbizotëruese. Ai hyri vetëm më vonë dhe çdo herë e më shumë në shoqërinë kosovare”, ka thënë Ivanji.

Në brendi të artikullit, autori ka tërhequr vërejtjen se boshëllëku i lënë nga BE po shfrytëzohet nga vende si Turqia dhe Arabia Saudite, gjë që sipas tij, po shprehet me ndryshimin e identitetit nga ai kombëtar në fetar.

“Islami në fakt nuk ka rrënjë kulturore në Kosovë. Por ndërkohë në vend janë 700 xhami të cilave u shtohen edhe shkollat ku ligjërohet Kurani. Si pasojë e frustrimit që po mbretëron me vite, gjithnjë më shumë njerëz i drejtohen islamit, disa syresh edhe ndikimit saudit, islamit radikal, vahabizmit”, theksohet në artikullin e portalit gjerman.

Sipas vlerësimeve, rreth 50 mijë kosovarë, pa asnjë dyshim, mund të llogariten si ithtarë të islamit radikal, thuhet në artikull.

Trendi tregon se gjithnjë e më shumë shqiptarë myslimanë identifikohen në radhë të parë si myslimanë dhe vetëm pastaj si shqiptarë. Kjo paraqet një ndryshim të madh identiteti në popullsinë sekulare e cila njëherë për njëherë ende si fshehurazi po ndahet nga vlerat perëndimore. (Konica.al)

 

Share this post