Kulla e radhës në qendër të kryeqytetit, pagëzohet “Eyes of Tirana”

Kulla e radhës në qendër të kryeqytetit, pagëzohet “Eyes of Tirana”

Vitin që vjen do të nisë ndërtimi i kullave shumëkatëshe që do të dominojnë qendrën e Tiranës. Përveç hotelit 35 katesh që do të jetë një zgjerim i hotel Tiranës (sot 15 katëshit) dhe kullës “Al Habtoor Investment LLC  (kulla Ikonike) në bulevardin e ri, kullës me 40 kate  (DownTown Albania) në zonën e parkut të lodrave në  rrugën e Elbasanit, tashmë është gati të nisë ndërtimi i një tjetër kulle shumëkatëshe në qendër të Tiranës (atje ku ndodhet sot Dhoma e Tregtisë Tiranë) e cilësuar ““Eyes of Tirana”.

“Eyes of Tirana” është projektuar si një ndërtesë e madhe, 26 kate e lartë dhe do të zhvillohet nga kompania Edil-Al. Të dhënat nga projekti bëjnë me dije se propozimi përbëhet nga tre pjesë të godinës që do të përmbajnë apartamente, zyra dhe dyqane që arrijnë në total në 55.444 m2. Punimet për ndërtimin e kullës do të nisin vitin tjetër sipas planifikimit që ka bërë zhvilluesi i projektit, Edil-Al.

“Eyes of Tirana” është planifikuar të ndërtohet në qendër të kryeqytetit, ndërmjet rrugës së Durrësit dhe asaj të Kavajës , aty ku sot ndodhet selia e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë. Kulla është pjesë e Masterplanit për Tiranën. Projekti është vepër e studios daneze Henning Larsen. Maja e kullës, që hapet si lule, dhe atriumet kanë pamjen e një syri, nga ku objekti ka marrë edhe emrin.

Ndërtuesit thonë se në Tiranë pritet të ngrihen të paktën 15 kulla. Urbanistët sqarojnë se plani synon në ndërtimin e disa kullave deri në 40 kate nga qendra përgjatë zonës së Bulevardit të Ri deri te Parku i Liqenit.

Së fundmi, qeveria ka miratuar një projektligj i cili synon negocimin e një kontrate investimi prej 250 milionë dollarësh nga një kompani private nga Dubai, e cila ka shprehur interes për ndërtimin e një kulle në zgjatimin e bulevardit të ri të Tiranës. Investitori është “Al Habtoor investment LLC”, kurse projekti “Kulla ikonike e Tiranës”.

Në pak vite, Tirana do të ketë shumë hapësira të lira për t’u ofruara blerësve, në një vend që ende renditet ndër të fundit në Europë për sa u përket të ardhurave për frymë dhe i 106-i në botë, duke lënë pas vetëm Moldavinë dhe Ukrainën, sipas të dhënave nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Ndërtuesit dhe zhvilluesit e pasurive të paluajtshme mbeten skeptikë nëse tregu do të jetë në gjendje të absorbojë gjithë shtesën.

“Oferta e re në planifikim e sipër është shumë e lartë dhe vështirë për t’u thithur nga tregu. Duhet theksuar se Tirana aktualisht mbetet një nga tregjet ku stoku i apartamenteve të pashitura është shumë i lartë”, ka pohuar më herët Stela Dhami, drejtore menaxhuese e agjencisë ndërkombëtare të pasurive të paluajtshme, Colliers international. (monitor.al)

 

Share this post