Marsot: Shqiptarët i përbuznin osmanët, nuk agjëronin…zoti i shkatërroftë!

Marsot: Shqiptarët i përbuznin osmanët, nuk agjëronin…zoti i shkatërroftë!

Nga

Milicia shqiptare në Egjiptin e Mehmet Ali Pashës, e përjetësuar me ngjyrat e piktorit Zhan Zherome, është një miniaturë shëmbëllyese e shqiptarëve të shekullit nëntëmbëdhjetë: kryeneçë, të pabindur, herë-herë edhe të vrazhdë.

Garda pretoriane e sundimtarit të hekurt shqiptar të Misirit, kryesisht luftëtarë të mbledhur nga jugu, njihej për qëndrimin e saj përbuzës, jo vetëm ndaj osmanëve, por edhe ndaj vetë egjiptianëve, shkruan Konica.al.

Në librin ‘Egjipti në sundimin e Mehmet Aliut’ të autores egjiptiane Afaf Lutfi al-Sayyid Marsot, jepet një portret i panjohur për luftëtarët me fustanella që endeshin si zotër prej Nilit deri në Siri.

“Të gjithë shqiptarët në forcat osmane në Egjipt formonin një bllok brenda ushtrisë që ishte i dallueshëm dhe i ndarë nga pjesa tjetër e burrave, dhe ata ishin nën udhëheqjen e një oficeri të quajtur Tahir”, e nis rrëfimin e saj historiania egjiptiane.

Sipas saj, shqiptarët ishin ‘mercenarë’ në ushtrinë osmane prej të paktën gjysmës së dytë të shekullit shtatëmbëdhjetë, kur përdoreshin për të kundërpeshuar jeniçerët e pasigurt.

Ajo çka i dallonte shqiptarët, vazhdon më tej autorija, është se ata ruanin strukturën e tyre fisnore.

“Shqiptarët flisnin pak turqisht dhe i përçmonin jeniçerët osmanë, të cilët i urrenin shqiptarët si turmë e pabindur. Sipas Jabartit, shqiptarët ishin më të pagdhendur e më kryeneçë sesa osmanët. ‘Shumica e tyre nuk agjërojnë muajin e Ramazanit’, shkruante ai me përbuzje, ‘dhe askush nuk mund të thotë se çfarë besojnë ose cilit sekt apo urdhër i takojnë. Gjëja më e lehtë për ta është të vrasin, të zaptojnë gjënë e tjetrit dhe të mos i binden eprorëve dhe gjeneralëve të tyre… Zoti i shkatërroftë të gjithë ata”, shkruante ai”.

Autorja Marsot nënvizon se për shkak të karakterit të tyre fisnor, ‘trupat shqiptare nuk mund t’i drejtonte askush tjetër përveç një shqiptar’, dhe kjo, sipas saj, shpjegon ngritjen e shpejtë të Mehmet Aliut.

“Fakti që Mehmet Aliu ishte shqiptar, pjesëtar i grupit etnik dhe gjuhësor brenda familjes osmane, është i rëndësishëm. Shqiptarët flisnin një gjuhë të ndryshme nga turqishtja, dhe ndonëse ishin myslimanë, ata nuk ishin anëtarë të fallahin-it arab (term për fshatarësinë që merrej me bujqësi – shën. i red. Konica.al)”, shkruan Marsot.

 

Share this post