Ulet volumi i blerjeve online në 4-mujorin e parë 2017

Ulet volumi i blerjeve online në 4-mujorin e parë 2017

Volumi i blerjeve online është ulur dukshëm në katër mujorin e parë të këtij viti duke reflektuar uljen e kufirit për taksimin e tregtisë nga interneti që qeveria aplikoi në gusht të vitit të kaluar.

Sipas të dhënave te INSTAT, transporti i mallrave me postë shënoi një rënie vjetore me 13 për qind në janar-prill 2017.

Nga të dhënat mësohet se në katërmujorin e parë të vitit u transportuan me postë 146 tonë mallra nga 169 tonë që u transportuan më 2016.

Në gusht të vitit të kaluar hyri në fuqi një vendim me të cilin blerjet online mbi 22 euro paguajnë TVSH dhe taksë doganore, ndërsa për dhuratat apo dërgesat që qytetarët marrin nga jashtë, taksimi fillon nga kufiri 45 euro.

Nëse kalohet kufiri i taksueshëm, atëherë blerësi paguan gjithsej si taksa 22.4% të vlerës së mallit (20% TVSH 2.4% taksë doganore).

Me këtë vendim të gjitha blerjet mbi 22 euro dhe dhuratat e dërgesat nga jashtë mbi 45 euro, çmimet u shtrenjtuan. Kufiri mbi të cilin paguhen taksa është ulur ndjeshëm.

Ky veprim, sipas Financave u bë për të shmangur konkurrencën e pandershme të subjekteve tregtare që importojnë dhe shesin produktet e tyre në vend, duke paguar të gjitha taksat dhe tatimet në import.

Ulja e kufirit për blerjet online ka shkaktuar pakënaqësi e reagime të shumta te konsumatorët, të cilët gjithnjë e më shumë i ishin drejtuar kësaj alternative, si një zgjidhje për të blerë mallra cilësore me çmime të pranueshme.

Ky vendim i qeverisë përvecse u prit me zemërim nga konsumatorët fanatikë të blerjeve online duket se ka dhënë edhe efektet negative zinxhir edhe tek bizneset. Aktiviteti i postave në transportin e mallrave ka rënë me ritme dyshifrore këtë vit.

Në mes të vitit 2014, qeveria kishte vendosur që të gjithë ata që blinin online dhe iu vinte produkti me postë nga jashtë vendit, paguanin taksë në rast se vlera e mallit do të kalonte 20 mijë lekë, duke e rritur, nga 10 mijë lekë, që ishte më parë.(monitor.al)

 

Share this post