Një suvenir nga Tirana

Një suvenir nga Tirana

Turistët që vizitojnë Tiranën e që dëshirojnë të marrinë me vete një kujtim, i cili përfaqëson më së miri identitetin, vlerat kulturore e  historike tani do të kenë më shumë variacione se sa thjesht një çantë me motive tradicionale, një bust Skënderbeu apo një imazh të Nënë Terezës.

Bashkia e Tiranës çel konkursin për produktin turistik në të cilin mund të aplikojë deri më 12 qershor çdokush që ka një ide duke plotësuar formularin online në produktituristik@tirana.al ose duke dorëzuar fizikisht formularin e aplikimit së bashku me deklaratën për të drejtën e autorit.

“Ajo çka është vënë re është që me mbylljen e shkollës artistike “Migjeni” dhe me kalimin e viteve gjatë demokracisë ka ardhur gjithnjë duke u pakësuar numri i suvenirëve që turistët mund të gjejnë që simbolizojnë Tiranën, ndaj gjithë ideja e këtij konkursi lindi si një mënyrë për të bërë të mundur që turistët të kenë produkte sa më autentike, dizajne, në mënyrë që ata kur të largohen, pasi të kenë vizituar qytetin tonë të kenë një kujtim sa më të bukur nga ky qytet”, shprehet Enkelejd Musabelliu, Drejtor i Zhvillimit Ekonomik, Bashkia Tiranë.

Idetë mund të jenë nga më të ndryshmet, që nga kapelet, bluzat, shishet e vogla të rakisë e deri te sapunët aromatike si Italia, Greqia apo edhe vende të tjera turistike.

“Ne e kemi quajtur konkursi për produktin turistik, sepse suveniri në vetvete perceptohet më shumë si një bust apo si një magnet që ngjitet në frigorifer, por në fakt një suvenir apo një produkt turistik është gjithçka që një turist dëshiron të marrë më vete si një kujtim nga një qytet apo një shtet të cilin ai e ka vizituar. Çdo person që ka një ide se çfarë e përfaqëson Tiranën dhe çfarë mund ta përfaqësojë atë te vizitoret e huaj mund ta hedhë këtë ide në letër, ta skicojë, të aplikojë pranë konkursit e të fitojë edhe 1 nga çmimet”, thotë Musabelliu.

Konkursi do të shpërblejë dy çmimet e para me 100.000 lekë: për produktin artizanal më të mirë e për atë inovativ, çmimi i dytë do të marrë 60.000 lekë, i treti 40.000 lekë të reja si edhe 36 çmime inkurajuese do të vlerësohen me 20.000 lekë të reja.

Share this post