Femra shqiptare gjatë Monarkisë

Femra shqiptare gjatë Monarkisë

Nga

Ndërsa Evropa po përballej me komunizmin apo fashizmin, në Shqipëri ende “ligji i kanunit” parashihte “martesën me provë”,  ku burri nëse gjatë një viti bashkëjetese me gruan, e – kjo e fundit  nuk ngelte apo nuk e mbyllte me sukses të paktën një shtatzëni, – atëherë martesa mund edhe të zgjidhej. Apo më saktë, vetë martesa dhe roli i gruas në martesë, konsiderohej në këto terma nga kanuni: “Me u martue sipas kanunit do me thanë me u ba shpi, me ia shtue shpis nji rob ma tepër, sa për krah të punëve e sa për t`i shtu fmit” (neni 28).

Por në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të datës 24 Shtator 1923, Ali Këlcyra, nën kundërshtitë dhe ilaritetin e sallës parlamentare, do të hapte diskutimet në favor të votës së grave. Duke nënvizuar pikërisht rolin e femrës shqiptare si “nanë e njerzis”, e duke evidentuar diskriminimin gjinor, ku në fakt burrave analfabet u jepej kjo e drejtë dhe  grave të arsimuara i mohohej, ai do të kërkonte pikërisht që t’i jepej e drejta e votës atyre grave që dinin shkrim e këndim…

Që nga mosmiratimi i të drejtës së votës në 1923, ngjarjet që vlejnë për t’u shënuar në jetën e femrës shqiptare të kohës është edhe ajo gjatë Republikës (1925-1928) e më pas gjatë Monarkisë Shqiptare (1928-1938), ku çështja e së të drejtës së votës së grave u diskutua në asambletë legjislative të kësaj periudhe.  Por veçse pas luftës së dytë botërore, falë angazhimit të grave shqiptare në LANÇ, atyre do t’i njihej e drejta e votës.

 

Në kongresin e arsimit të vitit 1924, Shadije Bogdo u bë figura kryesore dhe një nga organizatoret e këtij kongresi, ku gazeta “Bashkimi” e datës 15 gusht 1924, në faqen e saj të parë fillon artikullin për kongresin arsimor: “Më datë 12, ora 5 në shkollën femërore u hap kuvendi arsimor, ku marrin pjesë 33 delegatë” (Në shkollën femërore, Shadija ishte drejtoreshë e saj. Kjo ishte arsyeja përse kongresi u mbajt në ato mjedise). Kongresi votoi disa nga kërkesat e Shadijes, një nga të cilat ishte arsimi fillor i detyruar për dy sekset në shkollat shtetërore. Shkollimin e femrës shqiptare kongresi e pa të rëndësishme si për kohën e afërt ashtu edhe për perspektivën, si në bazë shkolle ashtu edhe jashtë saj. Veç detyrimit shkollor për vajzën shqiptare kongresi vendosi t’i rekomandonte Ministrisë së Arsimit krijimin e një shkolle normale femërore, një tjetër propozim i Shadijes. Mbi bazën e këtij propozimi u hap më vonë Instituti “Nëna Mbretëreshë”…

Megjithatë, duhet theksuar se mentaliteti ndryshoi së tepërmi edhe gjatë kohës së Monarkisë Shqiptare, duke filluar sportet e para për femra, që nga tenisi, sportet me harqe, hipizmi dhe shumë të tjera. Gjatë viteve të diktaturës komuniste, periudha e Mbretit Zog u trajtua thjesht dhe vetëm si një periudhë “obskurantiste”, e “prapambetur” dhe etiketime të tjera si këto, por “Kodi Civil i Mbretërisë Shqiptare”, ende trajtohet edhe sot (I miratuar më 1 prill të vitit 1929) si një nga më “modernët” e kohës…Gjatë asaj periudhe, me ligj u hoq poligamia dhe fejesën që në djep, e shumë shpejt dhe perçja…ndërsa shkëputi Shqipërinë përfundimisht, nga e drejta otomane (Kodi Civil i Turqisë).

“Statusi i lartë i femrave është një prej faktorëve kryesorë në forcimin e një shteti”, deklaronte me bindje Zogu, ndërsa vijon më tej se, “do ndjej përmbushjen e misionit më të madh të jetës sime, kur statusi dhe kultura e femrave në Shqipëri të arrijnë majat, fillimisht në lartësinë e vendeve të tjera ballkanike e më pas në nivelin e femrave të botës perëndimore”.

Gjashtë Princeshat 

Gjashtë  motrat e Mbretit Zog, Princeshë  Adileja, Princeshë Nafija, Princeshë  Senijeja, Princeshë Myzejeni, Princeshë Ruhija dhe Princeshë Maxhideja  kanë  luajtur një rol mjaft aktiv gjatë  viteve të  monarkisë. Falë vizionit të  qartë perëndimor të  vëllait te tyre, ato u bënë ambasadore të  kulturës evropiane në  një vend ku sapo kishte filluar bashkëjetesa mes Orientit dhe Perëndimit. Mjaft të diskutuara për pasionin e tyre ndaj modës, ato qenë  të  parat në  shoqërinë shqiptare që  dolën në  plazh me kostume banje evropiane.

Secila prej tyre mori nën patronazh nga një seksion te organizimit të  shoqërisë. Princeshë Senijeja  u vu në  krye të  Kryqit të Kuq Shqiptar, Princeshë Ruhija u angazhua në arsim dhe te drejtat e gruas, Princeshë Myzejeni në  art dhe kulturë, ndërsa Princeshë Maxhideja në  sporte.

“Gratë janë gjysmë e njerëzimit, prandaj një komb quhet i përparuar, kur krah për krah me burrin ecën edhe gjysma tjetër, gratë” (Sami Frashëri). “Si mund të vejë mbroth një komb, kur gratë rrinë të mbyllura në kuvli? Gruaja duhet të jetë më e mësuar se burri. Gruaja është mëmë e fëmijës, zonjë e shtëpisë dhe krejt e njerëzisë” (Naim Frashëri). 

Instituti Femëror (Instituti Femneur “Nana Mbretneshë”)

Në pjesën e parë të një dokumentari të shkurtër realizuar nga Instituti Italian, LUCE me titull “Jeta në një Institut femëror në Tiranë” (Janar 1936), tregohen aspekte nga jeta në Institutin “Nana Mbretneshë”, aty ku u përgatitën juristet, historianet, shkrimtaret dhe mësueset e para shqiptare.

Në kujtimet e saj, një prej nxënëseve të para, Vangjeli Mele është shprehur: “Përkrah lëndëve bazë si matematika, historia, letërsia, gjeografia, e gjuhët e huaja, në këtë shkollë i jepej një rëndësi e veçantë dhe formimit kulturor të nxënësve, duke u mësuar muzikë apo dhe pikturë”. Ndërsa Liri Lubonja shprehet se, “Kam nostalgji për momentet e kaluara në atë shkollë por ndjej dhe keqardhje për faktin që kjo shkollë nuk është më”. Gjatë viteve të funksionimit të këtij Instituti kanë dalë  2755 mësuese dhe 853 edukatore kopshti. Instituti “Nëna Mbretëreshë” gjatë historisë u mbyll njëherë në vitin 1944, më pas u hap sërish në vitin 1945, por duke marrë emrin Shkolla Pedagogjike. Disa nga emrat e shquar në veprimtari të ndryshme që nxori ky institut janë dhe Margarita Tutulani, Ramize Gjebrea, Eleni Pashko, Safo Marko, etj.

Dokumentarë të tjerë

Në pjesën e dytë të këtij cikli është mini-dokumentari interesant “Albanian sporting peageant”, pjesë e arkivit të “British Movietone”, ku sipas përshkrimit “Në Tiranë, femrat festojnë ditën e sporteve të vëzhguara nga Mbreti Zog dhe tre motrat e tij. Motrat e Zogut quhen Sania, Majida and Muzaya”. Në këtë mini-dokumentar janë dhe dy këngë, një prej tyre kushtuar Mbretit Zog dhe një tjetër popullore shqiptare, femra në sportin me hark apo duke kënduar dhe vallëzuar me veshje tradicionale.

Në mini-dokumentarin e tretë, kushtuar 10 vjetorit të Monarkisë Shqiptare (Shtator 1938), Mbreti Zog kalon në revistë ushtrinë  tij, duke vijuar më tej me kalimin e femrave të Institutit Mbretnor “Nana Mbretneshë” me përshëndetjen zogiste si dhe duke përfunduar me vallëzimin aristokratik, në Pallatin Mbretëror në Tiranë.

E në pjesën e katërt dhe të fundit, një mini-dokumentar i realizuar sërish nga Instituti italian LUCE në maj të vitit 1938 me titull “Festimet për Mbretin Zog i I-rë dhe Mbretëreshën Aponi”, ku midis të tjerave përshkruhet dhe kalimi në revistë i “trupës së nderit femërore” përkrah kavalerisë shqiptare dhe forcave të armatosura.

 

Share this post