Rama: Pakti me PD, për Europën. Iki nëse humb

Rama: Pakti me PD, për Europën. Iki nëse humb

Edi Rama, i ftuar në Top Story, foli për marrëveshjen politike me PD, të cilën e quajti historike sa I takon integrimit të vendit, dhe për marrëveshjen me Lulzim Bashën.

“Kemi një mundësi historike, edhe falë marrëveshjes me PD, që të hymë në një fazë të re politike, duke pasur vetëdijen se qeveria dhe opozita duhet të bëjnë avokatin e Shqipërisë për të hapur negociatat. Nuk ka një marrëveshje për të rrëzuar themelet e Kushtetutës, siç është, por ka një marrëveshje për të lehtësuar një aspekt shumë të rëndësishëm të saj, që ka të bëjë me zgjedhjet dhe me sistemin zgjedhor”, tha Rama.

Por kryeministri, megjithë këmbënguljen e Sokol Ballës, nuk i dha një përgjigje të qartë pyetjes nëse koalicioni i madh ishte një opsion për të.

“Atë do ta vendosin njerëzit. Kjo nuk është vendim-marrja që më takon mua. Do lexojmë votën e qytetarëve, do shikojmë nëse ata do të na japin ne përgjegjësi të plotë, apo nësa ata do të thonë jo, ne duam ta shpërndajmë përgjegjësinë”, u shpreh kryeministri.

Por Edi Rama u duk më i qartë në sulmet që ai i bëri LSI-së, duke e futur atë në grupin e partive të vogla klienteliste.

“Të gjitha partitë e vogla këtë punë kanë bërë dhe këtë punë duan të bëjnë. Duan një votë, dy vota, tre vota, pesë kartona, shtatë kartona, që të vijnë dhe të bëjnë pazar për të punësuar njerëz të partisë. Unë kam qenë deri në fund për koalicionet, LSI-ja ka qenë e ngurtë në raport me këtë nevojë. Pastaj ka krijuar një formulë që ishte gjysma e parë për koalicionin dhe gjysma e dytë për çadrën”, th Rama.

Për herë të parë që prej zgjedhjes president të Ilir Metës, Edi Rama dha sinjalet se tashmë raporti i tij me ish kreun e LSI-së ishte përkeqësuar.

“Nuk e di a është një shprehje që i shkon një presidenti të zgjedhur, por unë e mirëkuptoj dhe s’kam asnjë problem me këtë”, komentoi Rama.

Kryeministri shprehu rezerva për fushatën e presidentit të zgjedhur, me LSI-në.

“Kjo ha diskutim. Është zgjedhja e tij, por unë nuk do e bëja”, tha Rama.

Kryetari socialist per herë të parë artikuloi se humbja në zgjedhje e Partisë Socialiste, do shënonte dhe fundin e karrierës së tij politike.

“Nëse ne nuk jemi forcë e parë, atëherë unë do jap dorëheqjen dhe do largohem nga politika”, pranoi Rama.

Share this post