Publikohet plani anti-Obamacare. 4 senatorë republikanë kundër

Publikohet plani anti-Obamacare. 4 senatorë republikanë kundër

 

Projektligji i Senatit për Kujdesin Shëndetësor, i shkruar tërësisht me dyer të mbyllura, është bërë më në fund publik këtë të enjte, në një moment “jetë a vdekje” për përpjekjet e republikanëve për zëvendësimin e “Obamacare”.

Bërja publik i projektligjit shënon të parën herë që shumica e republikanëve të Senatit po kërkojnë një opinion gjithëpërfshirës ndaj propozimit për Kujdesin Shëndetësor.

E ndërsa kreu i shumicës, Mitch McConnell po përpiqet të ushtrojë presion që vota të mbahet javën e ardhshme, senatorët kanë vetëm pak ditë në dispozicion për të vendosur nëse do ta mbështesin ose do të votojnë kundër projektligjit.

Presidenti Donald Trump lavdëroi produktin e Senatit gjatë një fjalimi të shkurtër të mbajtur të enjten në ngjarjen “Emerging Technology”, të zhvilluar në Shtëpinë e Bardhë.

“Do të bëhet shumë më mirë, – tha Trump. – Do të na duhen pak negociata, por do të bëhet gjithçka mirë”.

Projektligji thuhet të jetë i ngjashëm me versionin e kaluar muajin e kaluar nga Dhoma e Përfaqësuesve, por me disa ndryshime kyçe. Teksti i publikuar këtë të enjte tregon se legjislacioni i ri do të sjellë sërish ndryshime të rëndësishme në sistemin kombëtar të kujdesit shëndetësor, duke zëvendësuar trashëgiminë e ish-presidentit Obama; duke shkurtuar drastikisht mbështetjen federale ndaj “Medicaid”, duke eliminuar taksat e “Obamacare” ndaj të pasurve, kompanive të sigurimit dhe të tjerëve.

Senati planifikon gjithsesi të mbajë subvencionet e “Obamacare” për të ndihmuar njerëzit të paguajnë për mbulimet individuale.

Vendimi i McConnell për të mbajtur detajet nën kontroll të rreptë deri më sot, ishte i qëllimshëm dhe pati për synim mosnxjerrjen në vëmendjen e publikut të kolegëve të tij, megjithatë procesi në sekret të plotë ka irrituar demokratët, e jo vetëm. Edhe një sërë republikanësh gjithashtu.

E vetëm pak momente pas publikimit të projektligjit, 4 senatorë republikanë kanë njoftuar se nuk janë të gatshëm ta votojnë projektligjin, duke e kundërshtuar në njëfarë mënyre publikisht atë, sipas një burimi tepër të afërt të CNN-it. Emrat e tyre janë Rand Paul, nga Kentucky, Mike Lee, Ron Johnson, si dhe Ted Cruz i Teksasit.

Republikanëve u lejohet të humbasin vetëm 2 vota nga grupi prej 52 senatorësh në mënyrë që të kalojnë propozimin dhe për të zëvendësuar “Obamacare”. Por lajmi se janë 3 senatorë që kundërshtojnë planin, i publikuar fillimisht nga “NBC News”, tregon se do të duhet ende kohë për Trump, për të siguruar mbështetjen e nevojshme për një nga premtimet e fushatës së tij.

Share this post