Tre Heronjtë e Shkodrës

Tre Heronjtë e Shkodrës

 

 

Vehbi Fishta*

Më 22 qershor 1942 në mëngjes herët, të trokiturat e forta në derën e shtëpisë së Jordan Misjes zgjuan tre trimat që ishin brenda bashkë me pjesëtarët e familjes së të zotit të shtëpisë në lagjen “Fushë-Firej”.  Shtëpia ishte e rrethuar me rreth 600 policë e milicë fashistë të armatosur mirë. Përgjigja ishte e prerë nga të rrethuarit: Luftëtarët e lirisë nuk dorëzohen! Të tre trimat vendosën të luftonin në radhë të parë për të çarë rrethimin dhe nëse nuk do të mundnin ta bënin këtë, do të luftonin me vetëmohim deri në fund. Si armatim ata kishin vetëm 3 revolverë, 1 pushkë të gjatë me 500 fishekë dhe 10 bomba dore. Para se të fillonin luftën, nxorën jashtë shtëpisë nënën, motrën dhe vëllanë e Jordanit. I pari provoi të çante rrethimin Branko Kadia, i cili lëshoi një bombë dore dhe me nagantin e tij në dorë, u hodh në oborrin e shtëpisë për të dalë në kopsht. Por plumbat e mitralozave dhe pushkëve të fashistëve të shumtë e shtrinë përdhe të vrarë.

Lufta filloi e ashpër, armiqtë nuk i kursenin fishekët, plumbat binin si breshër i vërtetë mbi dritaret dhe dyert e shtëpisë. Të dy trimat e mbetur, Perlati dhe Jordani, qëllonin me kursim dhe vetëm në shenjë mbi fashistët, të cilët nuk po e kuptonin si po qëndronin ashtu ata të dy. Për këtë dërguan nënën e Jordanit për t’u thënë edhe njëherë të dorëzoheshin. Nëna, pasi u kthye nga të dy trimat, i tha prefektit: “Ata nuk dorëzohen të gjallë!” Kjo i tërboi edhe më shumë armiqtë. Kapiteni italian i kuesturës i inatosur mori me vete 20 karabinierë e milicë dhe vendosi ta sulmonte shtëpinë, duke e mbuluar me zjarr të dendur të mitralozit e pushkëve. Mirëpo ky guxim kapitenit i kushtoi shtrenjtë, sepse sa vuri këmbën në oborr mbeti përdhe nga plumbat e luftëtarëve të lirisë.

Lufta që po zhvillohej në Fushë-Firej të Shkodrës mori dhenë. Ajo u bë edhe më e ashpër. Fatin e kapitenit të kuesturës e pësuan edhe shumë policë e milicë të tjerë që tentuan të futeshin në këtë kala trimash.

Kishin kaluar 3 orë luftimi të ashpër. Ambulanca vinte e shkonte pa pushim për të tërhequr të vrarët e të plagosurit fashistë. Tani fashistëve u erdhi në ndihmë edhe një aeroplan gjuajtës që sillej lart, duke fluturuar ulët mbi shtëpinë “Kala”. Ai kërkonte të mitralonte ose të bombardonte nga lart, por ishte e pamundur, sepse përreth shtëpisë ndodheshin fashistë të shumtë. Të tërbuar në këto çaste fashistët vendosën t’i vinin zjarrin shtëpisë, por para se ta bënin këtë, e detyruan edhe njëherë nënën e Jordanit të fliste me dy shokët që të dorëzoheshin. Ajo vajti përsëri dhe mbasi u kthye i solli prefektit të njëjtën përgjigje si herën e parë: Ata nuk dorëzohen të gjallë! Atëherë shtëpia filloi të digjej, por luftimi vazhdonte.

Fashistët me grupe përpiqeshin të hynin brenda, duke përfituar nga tymi e flakët. Përpjekjet e tyre të shumta shkonin kot, sepse ndonjëri vritej, të tjerë plagoseshin dhe ç’mbetej nga ai grup ktheheshin nga kishin ardhur. Zjarri që vinte duke u shtuar bëri punën e vetë, depërtonte thellë në dhomat e shtëpisë. Flakët kishin përfshirë edhe trupin e Jordanit dhe ai atëherë i mbuluar me flakë dhe gjak detyrohej të hidhej nga dritarja e të binte në pusin e shtëpisë. Në pus ashtu në agoni, pa lëvizur fare në ujë, e kapën fashistët.

Perlati i mbetur vetëm vazhdonte, duke luftuar sa nga njëra dhomë në tjetrën. Kjo qëndresë heroike e pashembullt që po vazhdonte prej mëse katër orësh, i kishte mbuluar me turp fashistët italianë e tradhtarët e vendit. Një hero i vetëm brenda një shtëpie që po digjej, rezistonte e nuk dorëzohej i gjallë. Nervozizmi i fashistëve kishte arritur kulmin. Ata i tmerronte pa masë kjo qëndresë, pasi ajo do të bëhej një burim i madh frymëzimi për të gjithë popullin e Shkodrës dhe mbarë shqiptarët në luftën për liri e pavarësi. Fashistët menduan se kësaj qëndrese i duhej dhënë fund. Kështu, një oficer fashist i shoqëruar nga një numër i madh karabinierësh e milicësh, hyri Brenda në shtëpi. Perlati qëlloi mbi të dhe e rrëzoi përdhe, por pa kaluar pak sekonda, breshëria e një arme fashisti godet edhe Perlatin, i cili bie heroikisht, duke mbetur një yll i pashuar i lirisë. Pak më vonë fashistët për të ngjallur frikë në popullin e Shkodrës, Jordanin me trupin tërë plagë e varën në qendër të qytetit. Qëndrimi i tij para litarit ishte shumë burrëror e heroik.

Kjo epope legjendare, si një nga ngjarjet më heroike të LANÇ, i dha zemër dhe ngriti peshë të gjithë luftëtarët e lirisë, popullin përparimtar e patriot shqiptar që luftonte për lirinë e pavarësinë e Atdheut. Gazeta “Zëri i popullit”, në numrin e datës 11-12 janar 1943, shkruante: “Kush pandehte dje se 3 heronj në Shkodër do të kapërcenin çdo imagjinatë, do të bënin të vërtetë në ditët tona edhe epopenë më legjendare të një “Osoje”, do t’i kapërcenin me krenari edhe disa nga heronjtë e Homerit vetë!”

*Kryetar i Komitetit të Veteranëve, Shkodër

Share this post