Banka e Shqipërisë: Situata e zgjedhjeve ndikoi për keq në ekonomi

Banka e Shqipërisë: Situata e zgjedhjeve ndikoi për keq në ekonomi

Edhe gjatë këtij viti elektoral, nuk u arrit të eliminohej një plagë e vazhdueshme e 27 viteve të fundit. Ekonomia shqiptare mendohet të ketë ngadalësuar rritjen e saj në tremujorin e dytë të vitit, si efekt i pasigurisë që krijon situata parazgjedhore. Kështu ka deklaruar dje guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko para mediave në konferencën e zakonshme të shtypit pas mbledhjes së Këshillit të Mbikëqyrjes, ku njoftoi se norma bazë e interesit mbeti e pandryshuar në 1.25%.

Sipas Sejkos, pritet madje që muaji i fundit të jetë ndikuar edhe më shumë edhe për shkak të problematikës energjetike të krijuara nga situata e thatësirës, që ka goditur vendin. Megjithatë, tremujori i parë i vitit, që ka tejkaluar parashikimet e Bankës së Shqipërisë lidhur me ecurinë e Prodhimit të Brendshëm Bruto, me +3.94%, ka ndikuar mjaft që edhe gjashtëmujori të ruajë tendenca pozitive. “Rritja ekonomike e tremujorit të parë ka rezultuar më e lartë sesa parashikimet tona, kurse inflacioni në maj dhe prill ishte më i ulët se ato”, tha Sejko.

“Rritja ekonomike shënoi vlerën 3.94 për qind në tremujorin e parë të vitit. Ndërkohë, të dhënat e disponuara sugjerojnë një ngadalësim të saj në tremujorin e dytë të vitit. Një nga faktorët kryesorë për këtë ngadalësim ka të bëjë me pasiguritë që shoqërojnë situatën zgjedhore”, tha Sejko.
Por përfundimi i zgjedhjeve nuk i ka shuar rreziqet për ekonominë. Banka e Shqipërisë tani ka një tjetër shqetësim. “Më tej në muajin e fundit, një pasiguri e shtuar buron nga kushtet e pafavorshme klimaterike, që lidhen me thatësirën, efektet e të cilave mund të shfaqen në sektorë të caktuar të prodhimit”, nënvizoi Sejko.

 

Share this post