PRISHTINA MBLEDH ALBANOLOGET NGA BOTA

PRISHTINA MBLEDH ALBANOLOGET NGA BOTA
PRISHTINË, 13 Gusht 2017-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Në Prishtinë, në sallën e madhe të Fakultetit të Filologjisë të Universitetit Publik, zhvillohet nesër ceremonia solemne e hapjes së punimeve të Seminarit XXXVI Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, i cili zhvillohet deri në 25 gusht, ndërsa sot po mirëpriten seminaristët.
Programi bazë i Seminarit është: Kurse intensive të mësimit të shqipes (tre nivele); Ligjërata të veçanta të gjuhësisë; Ligjërata për letërsinë shqiptare; Ligjërata për kulturën shqiptare; Referime shkencore; Ligjërata të përgjithshme; Tryeza të rrumbullakëta; Tryeza e doktorantëve; Program kulturor plotësues për t’i njohur seminaristët me bukuritë natyrore, me veprimtaritë kulturore e të mira të tjera në qendra të Kosovës.
Këshilli Drejtues në axhendën e dërguar thekson edhe se,  temat bosht  të Seminarit për sesionet shkencore (24 – 25 gusht) janë tre: Gjuhësi – Qendrat e zhvillimit të shqipes
(Qendrat gjeografike të zhvillimit të shqipes; institucionet që kanë ndikuar në zhvillimin e shqipes; pikat referente të zhvillimit të shqipes-sinkroni dhe diakroni; autorët si pika referimi);  Letërsi – Fakti dhe fiksioni në letërsi; Kulturologji – Media dhe identiteti kulturor.
Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është themeluar pranë Fakultetit të Filologjisë (atëherë Fakulteti Filozofik) të Universitetit të Prishtinës, në vitin 1974. Ishte viti i Kushtetutës që avanconte të drejtat e shqiptarëvetë Kosovës si element konstituiv me të drejtë vetoje, i federatës së atëhershme.
Seminari ka zhvilluar në vitin 2016 sesionin jubilar – të tridhjetë e pestin. Në vitin 1991 është ndërprerë veprimtaria e tij nga organet e dhunshme serbe. Në vitet 1995 e 1996 sesionet e këtij seminari u mbajtën në Tiranë në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Pas çlirimit të Kosovës në qershorin 1999, nga viti 2000 Seminari zhvillohet sërish në Prishtinë. Sesionet 19 dhe 20 (2000-2001) janë organizuar në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
 Në Qendrën Studentore në Prishtinë mes seminaristëve që kanë mbërritur sot është Eliza Danielewska nga Polonia, e cila për herë të parë merr pjesë në Seminarin për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqipe. Ajo aktualisht studion Albanologjinë në degën e Ballkanistikës në Poloni.
“Më pëlqen shumë si tingëllon shqipja. Për herë të parë e kam dëgjuar shqipen kur isha në Shqipëri. Që atëherë, e kam pasur ëndërr ta mësoj gjuhën shqipe. Kjo më shtyu edhe të vij në seminar këtë vit”, ka thënë Eliza.
Ka qenë pikërisht seminaristja e përvjetshme, Agata Rogos nga i njëjti vend, që i ka sugjeruar asaj të marrë pjesë në seminar. Shumë nga seminaristët e rinj sugjerohen të vijnë nga ish-seminaristët pas përvojave të mira që i kanë në Kosovë, bëjnë të ditur organizatorët.
Eliza, së bashku me rreth 150 pjesëmarrës të tjerë, do t’i ndjekin kurset për gjuhën shqipe gjatë dy javëve.

Share this post