Rinas, kthehen 39 shqiptarë, ashpërsohen rregullat për Shengenin

Rinas, kthehen 39 shqiptarë, ashpërsohen rregullat për Shengenin

39 udhëtarë shqiptarë që do të lëviznin nga Aeroporti i Rinasit ditën e djeshme janë kthyer pasi mendohet se mund të shkonin të aplikonin për azil në vendet e BE-së.

“Shtetasit janë refuzuar bazuar në masat shtesë të përcaktuara në urdhrin e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, urdhër i dalë në fillim të muajit gusht”,- tha dje Policia e Shtetit. Ndërsa sqaroi se për të përballuar fluksin e shtetasve të huaj e shqiptarë që vijnë apo largohen nga Shqipëria, gjithashtu edhe për të parandaluar çdo rast të dyshimtë për azil në BE, janë shtuar sportelet në aeroport.

Vetëm gjatë dy ditëve të fundit, nga aeroporti “Nënë Tereza” kanë hyrë në territorin tonë 13 mijë shtetas shqiptarë e të huaj.

MASAT NË RINAS 
Policia tha dje se janë marrë të gjitha masat për të përballuar fluksin e hyrje-daljeve të shtetasve që qarkullojnë nëpërmjet aeroportit të Rinasit. Nga ana tjetër, struktura të caktuara kanë përqendruar punën edhe në parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

“Vëmendje e veçantë edhe në drejtim të evidentimit dhe bllokimit të atyre shtetasve, që kanë për qëllim kërkimin e azilit në Francë e në vende të tjera të BE-së”, – tha Policia e Shtetit. Mësohet se gjatë muajit gusht kanë hyrë në Shqipëri 27.345 shtetas shqiptarë, si dhe 35.918 shtetas të huaj. Ndërsa kanë dalë 20.332 shtetas shqiptarë e 26.886 shtetas të huaj.

“Gjatë dy ditëve të fundit ka një rritje të madhe të fluksit të hyrjes për në vendin tonë, ku numri arrin deri në 13 mijë shtetas shqiptarë dhe të huaj. Aktualisht, në Rinas po punohet me 9 sportele në hyrje dhe 8 në dalje. Policia Kufitare e Rinasit është e angazhuar maksimalisht për t’u ofruar një shërbim sa më cilësor të gjithë shtetasve që hyjnë dhe dalin nëpërmjet aeroportit, si dhe e vendosur për të parandaluar, evidentuar dhe ndëshkuar paligjshmërinë”,- tha policia.

Burimet thanë se do t’u refuzohet kalimi i kufirit të gjithë shtetasve shqiptarë që nuk plotësojnë kriteret e përcaktuara nën urdhrin e Haki Çakos, për të udhëtuar drejt vendeve të BE-së. Nuk kanë adresë të saktë akomodimi apo destinacioni, nuk kanë ftesë pritëse, si dhe mjete të mjaftueshme financiare.

Share this post