Gjyshja ime, Fildesi dhe një grua tjetër që “do vrarë”

Gjyshja ime, Fildesi dhe një grua tjetër që “do vrarë”

Nga Mira Kazhani/

 Gjyshja ime nga babai ka qenë një grua që po të kishte lindur në kohët e sotme me siguri do kish kapur një karrige në Parlament. Mundet ta kishin zhdukur kryetarët edhe nga listat pas një farë kohë, por të paktën një mandat do kish hyrë në portën e Parlamentit. Ajo ishte diplomate për nga temperamenti, e zgjuar dhe shumë e emancipuar, edhe pse nuk kish mbaruar as 8-vjeçaren.
Nuk kujtoj nëse dinte tabelën e shumëzimit apo pjesëtimit, por dinte mirë të drejtonte shtëpinë dhe të priste e përcillte njerëz me një pako oriz.
Gjyshi ishte njeri i drejtë, punëtor dhe dorështrënguar me blerjet, por jo me miqtë. Kur ata vinin tek shtëpia në fshat (Burgajet) nuk pranonte kurrsesi që të largoheshin pa drekë. Kur ishin të rëndësishëm, gjyshja e kapte pulën, kur nuk ia vlenin dhe ishte vetëm një budallallepsje e gjyshit ajo gjente një mënyrë të mos e kapte pulën.

Kjo më argëtonte pa masë mua, bishtaleces së vogël, por ajo që nuk kuptova kurrë është sesi ia dilte të bënte një drekë edhe kur në shtëpi nuk kishte qoftë edhe një pako oriz. Këto janë sekrete grash shqiptare, që meritojnë nderime me statuja si burrat që kanë fituar beteja dhe si rilindasit që kanë mbajtur gjallë gjuhën dhe shpirtin e kombit tonë.
Kur isha e vogël kaq kuptoja, vetëm aftësitë magjike të gjyshes sime, që gjente gjithmonë një zgjidhje jashtëtokësore për të pritur miqtë e beftë dhe për të shmangur nervozizmin e gjyshit. Burrat e asaj kohe kishin për detyrë të ishin të vrazhdë dhe gratë të nënshtruara. Rrjedhimisht kjo trashëgohej edhe tek edukimi. Djemtë rriteshin si heronj dhe sidomos si të dhunshëm. Vajzave u mësohej nënshtrimi me devizën “mësohu se do shkosh te burri dhe atje nuk ka llafe. Ul kokën!”.
Për habi, sot kujtoj që në derën tonë nuk ndodhte kështu. Gjyshja i përkëdhelte të bijat dhe i trajtonte si princesha. Djemtë si princër! Ishin të gjithë të njëjtë në sofrën e saj, ndonjëherë edhe me përshesh me valë (përshesh me ujë të valuar dhe gjalpë të shkrirë, traditë e zonave veriore në kushtet e varfërisë).
Nuk e di nga e dinte ajo grua e rritur jetime me një burrë të ndershëm po pak të vrazhdë se dhuna nuk ishte familje, se ajo sidomos parandalohej që nga nëna tek fëmija. Nga e dinte se djalit i duhej mësuar me abetaren dhembshuria dhe respekti për gjininë e bukur. Madje, ndryshe nga gjyshi komunist që votoi derisa vdiq majtas, gjyshja e kish mësuar si lexohej PD dhe votoi derisa vdiq për Salën.
Ajo e shihte demokracinë si alternativë për gratë. Si një jetë më të mirë. Vdiq me pengun që nuk kishte moshën time dhe krenare që ia doli të votonte gjithmonë fshehur gjyshit për PD-në. E urrente varfërinë dhe gjyshin disi që nuk i bleu kurrë një unazë të bukur floriri. Por shkoi e qetë se në shtëpi ia doli të mos ushqente dhunë, si ajo pula që gjente mënyrën të mos e kapte kur nuk ia vlente bujtësi.
Kjo është historia e gjyshe Bies.
-Ka disa ditë që media vlon nga rrëfime për vrasësin e Fildesit, gjyqtares që deshi një jetë më të mirë për fëmijët po sidomos edhe për veten e saj. Nga edukatore u bë gjykatëse. Një grua që studioi dhe nuk pranoi të pinte Redbull duke parë telenovela me vjehrrën në shtëpi. Kam lexuar komente të pështira prej grash që mbanin anë për nga vrasja me idenë se edhe viktima nuk ishte pa faj. Se duhej të duronte dhe të shijonte pasurinë e tregtarit.
Ndërkohë vlen të thuhet se gratë nuk i vrasim vetëm kur i vrasim. Ka gra që nuk kanë burra psikopatë, por i masakrojnë vetëm pse vlejnë. Pse kanë arritur të kenë një jetë, të pluskojnë mbi vanitetin e një çante të shtrenjtë.
Të jenë dikushi në këtë vend të vogël që ndonjëherë përplas njëjtë të zakonshmin dhe gjeniun. Të fortin dhe të dobëtin. Të pasurin dhe të varfrin!
Kurajshëm them se ka më keq se Fildesi. Nuk duhen ligje vetëm për dhunën fizike. Një dhunë e re ka kohë që është shfaqur dhe askush nuk po e vë ujin në zjarr, si gjyshja ime që bënte sikur nuk e kapte dot pulën, ngaqë nuk donte në fakt ta priste.

Burimi: tiranapost.al

Share this post