Amazon vs Google, përplasen gjigantët hi-tech

Amazon vs Google, përplasen gjigantët hi-tech

Amazon dhe Google janë përplasur me njëra-tjetrën dhe shkak për këtë është bërë platforma sociale më e madhe e shpërndarjes së videove, Youtube.

Amazon doli me një deklaratë duke akuzuar Google se ka ndërprerë pa asnjë shpjegim shërbimin e Youtube për Echo Show, një asistent digjital që kontrollohet dhe funksionon përmes komandave zanore.

Këtu, Amazon paraqiste Youtube jo me të gjitha funksionet e saj, ku mungonte pajtimi me një kanal (subscribe) apo video-rekomandimet që shfaqen para, gjatë dhe pas përfundimit të videos që klienti është duke parë.

Pikërisht ky “cungim” i Youtube ka detyruar Google që të dalë me një kundërdeklaratë dhe t’i bëjë me dije Amazon se “po shkelte termat e përdorimit dhe të privatësisë”.

“Ne shpresojmë që të gjejmë një zgjidhje për këtë çështje. Jemi në bisedime prej kohësh tashmë me Amazon dhe shpresojmë që të gjejmë një zgjidhje që do të përmbushë pritshmëritë e përdoruesve në të dy platformat”, thuhet në deklaratën e Google.

Kjo nuk është hera e parë që përballen gjigantë të teknologjisë. Në 2013, Google i kërkoi Microsoft që të heqë nga dyqani online tek Windows Mobile një aplikacion jozyrtar të Youtube, pavarësisht se vetë nuk kishte ndërtuar një të tillë për këtë sistem operimi.

Ndërkohë, në 2016 Amazon u përplas me Apple. Shefi ekzekutiv i saj, Jeff Bezos tha se kishin ndaluar shitjen e Apple TV, sepse dy kompanitë nuk kishin gjetur një marrëveshje financiare për të përfshirë Amazon Prime Video në këtë pajisje.

/ Top Channel

Share this post