Austri, Kurz pritet të afrojë ekstremistët në qeveri

Austri, Kurz pritet të afrojë ekstremistët në qeveri

Austria shkon djathtas duke preferuar udhëheqësin karizmatik 31-vjeçar të Partisë Popullore, Sebastian Kurz, që shpalli fitoren në zgjedhjet e përgjithshme të së dielës. Nëse pretendimet e tij konfirmohen, ministri i Jashtëm në largim do të jetë udhëheqësi më i ri në Europë.

Në selinë e partisë së tij shpërthyen festimet.

“Kjo e sotmja është një ditë historike, është mundësia jonë për të marrë drejtimin e vendit tonë e për të prodhuar ndryshime reale. Ju falënderoj të gjithëve. Po pres me padurim të punoj për Austrinë”, tha Kurz.

Partia e tij, sipas rezultateve paraprake ka siguruar 31% të votave. Nuk dihet ende me siguri nëse të dytët do të rreshtohen socialdemokratët apo Partia e Lirisë e ekstremit të djathtë.

Edhe pse në krye, Kurzit i mungon shumica e nevojshme për të qeverisur i vetëm, e një prej skenarëve më të përfolur të koalicionit është ai i bashkimit të forcave me Partinë e Lirisë, e deklaruar hapur kundër emigracionit.

Analistët mendojnë se 31-vjeçari arriti me sukses t’i ndryshonte fizionominë partisë konservatore dhe të rigjallërojë të djathtën, përfshirë të djathtët e skajshëm, pas shpërbërjes së koalicionit mes konservatorëve dhe socialistëve.

Fushata zgjedhore u mbizotërua nga çështja e emigracionit. Austria, me një popullsi prej më pak se 9 milionë banorësh, priti 90 mijë azilkërkues, shumica myslimanë, gjatë krizës së vitit 2015, duke nxitur mbështetje për politikanët e së djathtës ekstreme, që janë në favor të ligjeve më të ashpra mbi emigracionin.

Konservatorët pësuan një goditje në dhjetor të vitit 2016, kur Norbert Hofer humbi me një diferencë të ngushtë votash në zgjedhjet e dominuara nga çështja e emigracionit, por në të cilat votuesit zgjodhën një kandidat të Partisë së Gjelbër, Alexander van der Bellen. Numërimi i votave do të vazhdojë deri nga mesi i javës, për shkak se ka pasur shumë zgjedhës që kanë votuar përmes votimit me rrugë postare.

Share this post