Jeta fatale e spiunes më të famshme të historisë

Jeta fatale e spiunes më të famshme të historisë

Nuk pranoi t’ia lidhnin sytë dhe i vështroi ngultas pjesëtarët e plutonit të ekzekutimit, që hapën zjarr ndaj saj 15 tetorin e vitit 1917.

Kështu vdiq në moshën 41-vjeçare Mata Hari, femra e parë agjente e viteve 1900, emri i së cilës shumë shpejt do të kthehej në legjendë.

Balerina e çlirët holandeze, Margaretha Geertruida Zelle, magjepsi asokohe me hiret e saj meshkujt e gjysmës së Europës, por loja e dyfishtë me Gjermaninë dhe Francën i rezultoi fatale.

Plot 100 vite pas vdekjes, miti i saj vazhdon të jetë i gjallë. Mata Hari, e kthyer në simbolin e misterit dhe joshjes, u ekzekutua në poligonin ushtarak francez të Vincennes, si spiune e gjermanëve. Trupin nuk ia tërhoqi askush, e për këtë arsye u vendos në një varr të përbashkët.

Një metër e 78 cm e gjatë, lëkurë, flokë e sy të errët, Mata u dashurua me kërcimin oriental të Sumatrës, ku u vendos bashkë me të shoqin kapiten anijeje. Ndarja erdhi pas rikthimit në Europë, kur vendosi ta gjejë fatin e saj në Paris.

Me kërcimin e veçantë ra shpejt në sy dhe suksesi nuk vonoi të mbërrinte. Por rikthimi në Hagë në vitin 1916 dhe lidhja me konsullin gjerman, Alfred von Kremer, do të shënonin hyrjen e saj në rrugën e agjenturës.

Mata u bë spiunia “H21”, e më pas, në Gjermani do të njihej me kodin “AF44”. Përcolli shumë informacione, por injoroi faktin që mbikëqyrej nga kundërspiunazhi anglez e francez. Një numër i madh zyrtarësh francezë, me të cilët kishte pasur lidhje intime, e mbrojtën deri në fund, por pa dobi.

Loja e dyfishtë i kushtoi jetën, edhe pse mohoi gjithçka dhe vazhdoi të këmbëngulte se u denoncua pa të drejtë nga një mashkull i refuzuar.

Share this post