Ambasadorja greke në Vlorë: Të shqetësuar për Himarën

Ambasadorja greke në Vlorë: Të shqetësuar për Himarën

E gjendur në Vlorë për një vizitë zyrtare, ambasadorja greke në vendin tonë, Eleni Sourani ka preferuar të mos japë deklarata politike rreth situatës së krijuar në vend. Sakaq, çështja më e ndjeshme për të dhe shtetin grek mbetet Himara.

Në takimin me prefekten e Vlorës, Etjona Hoxha, ambasadorja ka kërkuar garanci për trajtimin e çështjes së Himarës me më shumë dashamirësi, ndërsa ka theksuar se prioritet mbetet trajtimi i banorëve të kësaj zone.

“Nuk kam asgjë për të deklaruar rreth çështjes së Himarës më shumë sesa është folur. Jam këtu për një takim të mirëfilltë për bashkëpunim me Vlorën dhe zonat e saj periferike. Jemi të interesuar për të pasur një marrëdhënie të qëndrueshme mes dy shteteve”, ka deklaruar Sourani.

Sa i takon Himarës ajo ka theksuar se, “banorët e saj duhet të trajtohen me kujdes të veçantë dhe  projektet vendore nuk duhet t’i cënojnë ata”.

“Shteti grek është i vemëndshëm për të gjitha zonat minoritare. Sa i përket Himarës, me aq pak shqip sa di mund të them se rëndësi ka që projekti të realizohet pa ndikuar shumë në komunitetin himariot”, ka shtuar diplomatja.

E pyetur rreth deklaratave të Ministrisë së Jashtme greke, ambasadorja është përgjigjur se vjen për herë të parë Vlorë dhe nuk do të preferonte të bënte komente politike.

Ndërkohë, prefektja Hoxha ka garantuar se projekti do të ecë përpara me zbatimin e tij, ashtu si edhe një numër i konsiderueshëm projektesh të cilat kanë gjetur zbatim në qarkun e Vlorës.

 

Share this post