Katër ministrat e rinj përfaqësojnë dy profile politike në Partinë Socialiste. I pari është ai i Fatmir Xhafajt, i cili rikthehet në një post të rëndësishëm qeveritar si përfaqësues i themeluesve të Partise Socialiste dhe që mbart ADN-në e saj.
Fatmir Xhafaj e merr postin e ministrit të Brendshëm edhe me një plus tjetër, si njeriu që udhëhoqi prej gati dy vjetësh reformën në drejtësi. Kjo periudhë i ka shërbyer Fatmir Xhafajt për të forcuar lidhjet dhe besimin tek dy partnerët më të rëndësishëm të Shqipërisë, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian, bashkautorë të reformës në drejtësi.
Me emërimin e Fatmir Xhafajt në kabinet, pavarësisht sulmeve nga opozita, Edi Rama do të ketë në krye të ministrisë së Brendshme një ministër me përkrahje nga partnerët dhe mbi të cilin nuk rëndojnë akuzat e opozitës për implikim me grupe kriminale apo për kanabizimin e vendit.
E vetmja pikë ku Xhafaj përputhet me Tahirin është se edhe ai nuk futet në grupin që flirton me Ilir Metën. Gjë që ra fort në sy ditën e negociatave të 21 korrikut për miratimin e ndryshimeve kushtetuese.
Xhafaj: E para ule zërin.
Meta: Jo nuk e ul zërin, të lutem. Nuk dua të toleroj situata të tilla.
Xhafaj: Kam tre vite që dëgjoj një parrullë tënden: Me qetësi dhe me dashuri. Dashuria ka ikur, por të paktën të rrijë qetësia.
Profili i dytë i përfaqësuar nga tre ministrat e rinj, Eduard Shalsi, Olta Xhaçka dhe Ogerta Manastirliu është ai i socialistit që ka punuar ngushtë me Edi Ramën.
Të tre ministrat janë prurje e Edi Ramës në Partinë Socialiste, dy prej të cilëve, Shalsi dhe Manastirliu, bashkëpunëtorë të afërt të tij që kur drejtonte Bashkinë e Tiranës 10 vjet më parë.
Olta Xhaçka dhe Eduard Shalsi, ish nënkryetar i bashkisë, nuk kanë mbajtur më parë portofole ministrore, ndërsa Manastirliu drejton prej 4 vjetësh Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.