Intervistoi Andrea Danglli, TemA
Skënder Gjinushi hedh dritë mbi një sërë ngjarjesh që kanë prekur vendin gjatë 26 viteve të fundit, duke treguar përgjegjësit e tyre.
Ai argumenton se reforma në drejtësi do t’i japë zgjidhje çështjeve që deri më sot kanë mbetur të zbardhura por të pa ndëshkuara.
Gjinushi i jep përgjigje akuzave të ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili e akuzoi pak ditë më parë për implikimin e nipit të tij në vrasjen e Azem Hajdarit.
Kreu i PSD-së e konsideron këtë deklaratë si shpifje dhe ish-shefin e qeverisë, si një shpifës, që sipas tij meriton qelinë.
I pyetur për aktualitetin politik, ai shprehet se protesta e opozitës mund të quhet si një çadër verore, por jo si një revoltë popullore që ka kauza të qarta.
Ndërkohë, sa i përket koalicionit PS-LSI, mendon se këto dy forca politike duhet të shkojnë bashkë në zgjedhje.
Ai shton se vendimet që shtyhen për në çastin e fundit kanë në thelb pazare politike.
Më tej Gjinushi rrëfen detaje nga takimi Nano-Millosheviç. Ai pohon se ky moment ishte prologu i vendosjes së çështjes së Kosovës në tavolinën e nisjes së bisedimeve për pavarsi.
Si e shihni koalicionin Rama-Meta? A duhet të vazhdojnë të qëndrojnë bashkë PS-LSI, apo duhet të shkojnë në zgjedhje të ndarë?
Keni pyetur në vendin e gabuar Andrea pasi ju e dini se në vitin 2013 ne donim që opozita të shkonte si opozitë në zgjedhje dhe të mos trazohej rrugës, aq më pak në çastet e fundit.
Të njëjtën gjë do të thosha edhe sot.
Nuk më duket normale që forcat bashkëqeverisëse të diskutojnë janë apo s’janë bashkë në një kohë kur kanë qënë bashkë në një rrugë katër vjeçare.
Vendimet që lihen për në çastin e fundit janë më tepër pazare politike se sa qëndrime politike.
Çfarë opinioni keni për protestën e opozitës?
Kam dëgjuar shumë slogane apo klishe të cilat thuanë se protestat janë gjithnjë pozitive dhe absolutisht ato janë një nga mekanizmat kryesore të demokracisë, por aman kur e meritojnë të quhen të tilla. Kuptohet se në protestë një grup i caktuar njerzish del dhe tubon për një kauzë të caktuar. Në këtë rast nuk kemi të bëjmë me një protestë, por veç me një zhvendosje të opozitës nga selia në bulevard. Ka vendosur të ngrerë një seli verore përballë Kryeministrisë dhe kërkon përpara zgjedhjeve që të ikë qeveria kur qeveritë ikin me zgjedhje.
Si e gjykoni qeverisjen “Rama”? A duhet të japë dorëheqjen për t’i lënë vendin rotacionit politik?
Këtë e përcakton vota. PSD do të pozicionohet krah të majtës dhe do të kërkojë një rifitore të saj.
Partia jonë do japë kontributin maksimal për një rifitore. Shqipëria duhet të vijojë rrugën që ka nisur për shbllokimin dhe futjen e reformave. Nuk mund të japë dorëheqjen kryeministri për një protestë që nuk mund të quhet e tillë. Zgjedhjet nuk merren në rrugë siç i fitoi Lulzim Basha më 18 shkurt, por merren në kutinë e votimit. Luli i vogël që kërkon të vijë në pushtet nuk mund të vijë kurrë me Saliun në krah.
Ju folët për arritje pa përmendur dështime. A keni konstatuar juve edhe defekte në këtë qeverisje?
Natyrisht që ka vend për të përmirësuar ato ç’kanë qenë të kritikueshme edhe nga vetë e majta, p.sh: në drejtim të reformës administrative territoriale, kriterin e ngritjes së administratës publike apo në drejtim të luftës ndaj korrupsionit, veçanarisht në nivele të larta.
Në krahasim me premtimet ka edhe mos realizime, në krahasim me ç’mund të bënte ka edhe gjëra që nuk janë bërë ende.
Ne jemi në këtë pozicion sepse vlerësojmë që qeverisja aktuale në krahasim me të shkuarën është shumë herë më mirë.
Si po i përcillni zhvillimet për implementimin e reformës në drejtësi? A ka emra të cilët duhen ndëshkuar brenda politikës?
Nuk duhet që politikanët të bëjnë listën e atyre të cilët duhen dënuar. Këtë duhet ta bëjë drejtësia.
Çdo qytetar dhe politikan, ka të drejtën që nëse është në dijeni të krimit, ta denoncojë institucionalisht dhe jo të bëjë llapaqenin.
Padyshim që Partia Socialiste ka pasur vullnetin për ta implementuar siç duhet këtë reformë por kualicioni nuk ka qenë i sinqertë në këtë drejtim. Në vend se të ishte bashkëpunues, ka qenë bllokues. Alibia se ligjet janë votuar pa consensus, siç pretendon opozita, nuk qëndron. Ato i ka votuar edhe LSI, ndërkohë Lulzim Basha thotë se Ilir Meta ka qëndrim shumë të mirë për reformen. Atëherë pse si votoi edhe ai? Pavarësia gjyqësore do të sjellë zbardhjen e aferave të mëdha, duke nisur nga vrasjet politike. Një zbatim i drejtë do të bënte që shumë kërma të politikës mos lehin më.
Kush qendron pas përcaktimit “kërma të politikës” që përmendni ju? Keni emra konkretë për këtë?
Deputetë të inkriminuar, gjykata të inkriminuara apo të kontrolluara dhe një sërë individësh të tjerë që drejtësia e re që do vijë, do të duhet t’i hetojë.
Mund të them se politikani Sali Berisha është strumbullari që mban shumë rekorde mëkatesh mbi vete. Nëse shoqëria shqiptare do të zbardhi veç vrasjet politike, do të pastrojë institucionet për 20 vite.
Për çfarë vrasjesh e keni fjalën?
Bëhet fjalë për vrasjen e Azem Hajdarit, Gërdeci, 21 janari, vrasja e 7 përmetarëve, vrasja e tre qytetarëve në Vlorë, vrasja e 4 policave në Berat.
Ndalemi pak tek ish-kryeministri Sali Berisha meqënëse ju e përmendët më lart. Pak ditë më parë në një intervistë ai ka hedhur akuza të forta se nipi juaj ka qenë pjesë e grupit që ekzekutoi Azem Hajdarin…
Të merresh me shpifjet e Sali Berishës është të bëhesh si llumi i tij. Shoqëria shqiptare duhet të merret seriozisht me krimet që ai ka kryer. Berisha nuk ka komoditetin të shpifë, por të japë llogari.
Të japësh shpjegim për ato që thotë, ai ose duhet të jesh budalla, ose naiv, ose i trëmbur.
Media është naive pasi duhet ta pyesë: Çfarë qënie je ti që pas 18 vjetësh merresh dhe i ndëron për të dhjetën herë vrasësit e Azem Hajdarit?
Ta përdorësh një vrasje politikisht 18 vjet është ta vrasësh për së dyti dhe ta përdhosësh për së treti viktimën.
I bëj apel që me familjarët mos “krruhet” se ata nuk e dinë nëse eksiston si qënie. Nëse do të guxojë të merret me familjarë, do të merrem edhe unë me familjarët e tij. E ka marrë një herë përgjigjen që meriton kur guxoi të bëjë një gabim të tillë. Je marrë me politikanë, por me familjarët çfarë ke? Çfarë race je?
Atëherë si qëndron e vërteta e vrasjes së Azem Hajdarit? Çfarë dijenish keni juve mbi këtë ngjarje?
S’jam Sali Berisha që të bëj akuza për të tjerët. Tashme mbarë opinioni publik dhe drejtesia i di vrasësit, por kërkohet urdheruesi apo nxitësi. Kërkohet ai që e futi në pritë. Këtu gjithë të implikuarit akuzojnë Saliun dhe vetëm atë.
Madje edhe ai akuzon vetveten kur thotë se i tha Azemit të dilte në rrugë, pasi kishte ardhur një makinë e dyshimtë. Gjysëm ore pas vrasjes, doli Berisha dhe tregoi se cilët janë autorët e vrasjes. Emrat i di vetëm organizatori në të tilla raste.
Në 2002 i kam bërë një pyetje: Ti që e dije se ai do vritej, pse e le ta ekzekutonin?
Prandaj duhet bërë reforma në drejtesi, për ta pastruar njëherë e mirë drejtesinë dhe pastaj përmes saj politikën.
Pikërisht është ky personi që ka inkriminuar politikën shqiptare, gjithashtu ka bërë perverse edhe median. Po të them unë që t’i je trafikant, ti do të japësh llogari apo unë që shpif?
Unë do të ndiqja rrugën ligjore, ju pse nuk e keni ndjekur ende këtë?
Problemi është se këtu nuk ka drejtësi. Ai ka shpifur për 26 vjet dhe nuk po ndëshkohet.
Gjithë këto përralla që dëgjoj, të cilat më thonë dërgoje tek drejtësia. Po ku ta çoj këtë mostër, kur sa herë është akuzuar për shpifje, gjykata e ka mbyllur procesin?
Pra, nuk ndëshkohen sepse mbahet sistemi i drejtësisë i bllokuar. Drejtësia përballë krimeve politike është dorzuar. Ky është qëllimi dhe forma që kanë gjetur për të shpëtuar. Gjithsesi unë pres nga ju të më pyesni se në çfarë burgu do ta shohësh Berishën.
Kryeministri Edi Rama erdhi në pushtet me me premtimin se do bëhej drejtësi për një pjesë të çështjeve që ju përmëndët më lart. Po bëhen katër vite dhe çështjet kanë ngelur po aty. Sa përgjegjësi ka Rama? Mendoni se lideri i PS-së do të ndëshkohet nga votuesit lidhur me këtë?
Absolutisht që një nga arsyet kryesore që Edi Rama do të votohet në 18 qershor është edhe vendimi për të bërë drejtësi. Qytetari ka dy alternativa në 18 qershor: Një që shpif, mbron krimin, korrupsioni dhe akuzon të tjerët për krimet që i ka kryer vetë dhe një që kërkon t’i japë drejësisë peshën që duhet. Pra alternativa e fundit kërkon që politikanë të korruptuar apo të inkriminuar të shkojnë përpara drejtësisë dhe mos e qelbin më shoqërinë shqiptare. Në këtë aspekt, shumica e ka kuptuar që e majta kërkon pastrimin ndërsa e djathta është mbrojtësja e krimit.
Edhe një herë z.Gjinushi. Rama erdhi në pushtet duke premtuar zbardhjen e këtyre krimeve. Mendoni se do të ndikojë në zgjedhje ky premtim i pa mbajtur?
Rama nuk ka një alibi, ai ka një realitet. Gërdeci, 21 janari apo të tjera janë të zbardhura, por duhen ndëshkuar. Janë ngjarje publike. Çelësi do të jetë reforma në drejtësi e cila po bllokohet nga opozita. Drejtësia e sotme ka dështuar në ndëshkimin e krimeve të politikës. Edhe Kuvendi ka legjitimuar të drejtën e deputetëve si Berisha për të shpifur nga foltorja. Ndërkohë prokuroria hesht në këtë rast. Madje edhe kur ka denoncime.
Ka pasur akuza të forta nga z.Berisha se ish-kryeministri Fatos Nano ka qenë i “përdorur” nga Greqia për të takuar Sllobodan Millosheviçin. Ju keni qenë pjesë e qeverisë “Nano”, keni ndonjë dijeni lidhur me këtë çështje?
Po. Pashë që disa portale pranë PD-së e shfaqnin Berishën si një patriot të madh dhe shkruanin për Nanon se ka dashur të shesë Kosovën. Jo, e vërteta është ndryshe. Nëse bëhet fjalë për çështjen e Kosovës apo çështjen kombëtare, Fatos Nano ka bërë maksimumin. Për këtë ka fakte. Takimi Nano-Millosheviç nuk ishte i fshehtë por publik dhe në sy të të gjithë botës. Ishte një takim i organizuar dhe monitoruar nga amerikanët. Takimi qe prologu i vendosjes së çështjes së Kosovës në tavolinën e nisjes së bisedimeve për pavarsi. Fatos Nano i dha mbështetje dhe njohje ndërkombëtare UÇK-së. Sa për Berishën ju them se kur bëhej lufta në Bosnjë dhe po parashikohej ajo në Kosovë, ai furnizonte me naftë Millosheviçin. Se kuptoj se si e thotë pa pikë turpi. Gjithsesi këto janë histori për të cilat besoj se ai një ditë ka për t’i treguar nga burgu.