“Brexit” mund të jetë shumë dëmtues për Bashkimin Europian, por nga ana tjetër ai krijon një mundësi tjetër për të ecur përpara e për të hartuar një plan të ri integrimi.
Momentet e vështira nuk i kanë munguar bllokut as në të kaluarën, por shkëputja e Britanisë është padyshim një goditje e rëndë. Megjithatë, ky mund të shihet edhe si rast i mirë që BE-ja të gjejë busullën e zhvillimeve të ardhshme.
“Në vitin 2005, Franca dhe Holanda e refuzuan në votim traktatin kushtetutës europian. Por dy vite pas krizës u firmos Traktati i Lisbonës. Në këtë mënyrë ne arrijmë të shohim se, pas një ngërçi madhor ekziston gjithmonë mundësia për të ecur sërish përpara”, tha Benedetto Zaccaria, studiues i integrimit europian.
Zaccaria kujton se përpos “Brexit”-it, BE-ja përballet edhe me krizën e refugjatëve, rritjen e populizmit dhe euroskepticizmit. Vendet anëtare, sipas tij duhet t’i kërkojnë rrënjët e problemit tek ekonomia.
“Mendoj se dallga e populizmit është rrjedhojë e shqetësimeve ekonomike dhe reflektim i pakënaqësisë popullore ndaj përpjekjeve të dështuara të qeverive për ndërmarrjen e hapave të efektshme në zgjidhjen e krizave ekonomike. Për këtë arsye duhet investuar më shumë tek ekonomia, prosperiteti dhe zhvillimi i një vendi”, tha më tej Benedetto Zaccaria.
Shumë po e shohin tashmë largimin e Mbretërisë së Bashkuar si mundësi për të zgjidhur sfidat e kontinentit, e thonë se mbase ndodh që Europa të marrë në këtë mënyrë një impuls të ri, e të dalë edhe më e fortë nga këto zhvillime.