Protesta e opozitës ka hyrë në ditën e 41 të saj dhe sa më shumë nga çadra këmbëngulet në qëndrimin për qeveri teknike si kusht për zgjedhjet, duket se aq më të shumtë bëhen zërat kundër.
E fundit ishte rezoluta e Partive Popullore Europiane. Nga 19 pikat e rezolutës duket se dy prej tyre kanë të bëjnë edhe me Shqipërinë. Në njërën prej tyre, megjithëse nuk përmend me emër Shqipërinë, problematika duket se i ngjan aktualitetit shqiptar.
Në rezolutë Partia Popullore inkurajon të gjitha forcat politike të marrin pjesë plotësisht në proceset demokratike dhe insititucionet në vendet respektive të tyre dhe të fokusohen në reformat strukturore, për të cilat ekonomia e tyre ka nevojë urgjente.
Për këtë u diskutua këtë të enjte në Top Story, me të ftuar analistë dhe politikanë. Spartak Ngjela e interpretoi rezolutën si një prelud të një reagimi akoma më të ashpër të ndërkombëtarëve ndaj bojkotit të Partisë Demokratike.
“Është prelud para se të fillojë forca. Me interesa të mëdha politike, kështu fillojnë. Nëse nuk do të marrin vesh me ketë gjuhë, Shqipëria për ta është në aleancë antiterroriste”, tha ai.
Kreu i Partisë Ligj dhe Drejtësi thotë se investimi më madhor i ndërkombëtarëve është reforma në drejtësi dhe dështimin e saj nuk do ta tolerojnë. Sipas tij, pikërisht kjo reformë garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme.
“Reforma në drejtësi garanton zgjedhjet e lira dhe të ndershme në Shqipëri. Sistemi i drejtësisë është garanti i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”, u shpreh Ngjela.
Sipas tij, kërkesa për qeveri teknike për zgjedhje të lira dhe të ndershme nuk është thelbi i krizës.
“Epiqendra e krizës është reforma në drejtësi dhe sidomos procesi i Vettingut. Po e bëjnë gjithë këtë për të mbrojtur Saliun”, tha ai.
Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Tomor Alizoti tha se opozita është e detyruar të protestojë.
“Sepse Shqipëria është vend i drogës, krimit dhe është detyrë e opozitës që të ndërmarrë një masë të tillë ekstreme për të shpëtuar të ardhmen e vendit”, tha ai, duke shtuar se deklaratën e Ambasadës së SHBA kundër protestës nuk e merr të mirëqenë.
***
Në pjesën e dytë dhe të tretë u fol për raportet brenda mazhorancës dhe për pyetjen nëse ka apo jo krizë mes LSI-së dhe PS-së, nisur nga deklaratat e fundit të Saimir Tahirit dhe Luan Ramës.
Agron Gjekmarkaj tha se vendi ndodhet në dy kriza, njëra mes mazhorancës, që sipas tij ka nisur dy vite më parë dhe tjetra është kriza politike me opozitën.
Lorenc Vangjeli nuk foli për krizë brenda mazhorancës. Ai tha se ka dallime në qëndrime mes dy partive dhe solli si shembull votimin njëzëri të ligjeve të reformës në drejtësi për të rrëzuar zërat e krizës brenda mazhorancës.
Arjan Vasjari deklaroi nga ana tjetër se LSI ka qenë e pandershme në koalicionin me Partinë Socialiste.
“LSI nuk ka marrë asnjë kosto për reformat e mëdha të vendit, ndërkohë që janë pjesë e qeverisjes”, tha ai.
Alfred Lela është i mendimit se dy janë mundësitë, ose bëhet fjalë për një krizë të thellë brenda mazhorancës, ose për mungesë serioziteti brenda saj.
Ndërkohë, Spartak Ngjela tha se ka fërkime mes LSI-së dhe PS-së. Ai deklaroi se PS nuk duhet të futet në zgjedhje bashkë me LSI-në.
“Për mua Rama humbet nëse shkon në zgjedhje me LSI-në. Mund të shkojnë të ndarë dhe më pas të bëjnë koalicion, por bashkë në zgjedhje, Rama humbet”, tha ai.