Përveç operatorit “Plus Communication” nga i cili deri tani nuk ka asnjë njoftim në faqen zyrtare, të gjithë operatorët e tjerë kanë ndryshuar paketat standarde duke i sjellë për klientët me të njëjtin çmim. Tashmë çmimi i paketave standarde (në varësi të llojit të paketës) është 1100 lekë, 1400 lekë dhe 2000 lekë ndërkohë që çmimet e para ishin 1000 lekë, 1200 lekë dhe 1600 lekë.
Vihet re se çmimet janë rritur në mënyrë progresive 100, 200 dhe 400 lekë. Dy operatorët që zotërojnë pjesën më të madhe të tregut (Vodafone Albania dhe Telekom Albania), përveç çmimit të njëjtë të paketave standard edhe njësitë me minuta, sms dhe internet përkatësisht për secilën paketë i kanë të njëjta. Operatori “Albtelecom&Eagle Mobile” ka të njëjtat çmime si dy operatorët më lartë, por në krahasim me ta ka diferenca në njësitë e ofruara me minuta, sms dhe internet.
Një vit më parë, këta operatorë ndryshuan afatin kohor të zgjatjes së paketave mujore nga 30 ditë në 28 ditë duke i bërë në këtë mënyrë paketat e ofertave telefonike më të shtrenjta. Ndërkohë, operatori i vetëm i cili nuk ka ndryshuar as kohëzgjatjen e paketave dhe as çmimin e tyre deri tani është Plus Communication i cili ka dhe pjesën më vogël të tregut të shërbimeve telefonike.
Në një vend ku funksionojnë katër operatorë për shërbimet telefonike, konkurenca midis tyre duhet të ishte e lartë, ndërsa në Shqipëri ndodh e kundërta. Kompanitë krijojnë marrëveshje të fshehta me njëra-tjetrën dhe çmimet rriten sipas dëshirës pavarësisht gjendjes ekonomike të qytarëve shqiptarë.
Vlen për t’u theksuar se ndyshimet e bëra nga operatorët telefonikë në kohëzgjatjen dhe çmimin e paketave nuk kanë ardhur si rezultat i ofrimit të një shërbimi më të mirë për klientët të cilët janë totalisht të pa mbrojtur nga rritja e çmimeve.
Në këtë rast, shteti duhet të luajë rolin e tij si rregullator i tregut për të siguruar stabilitet çmimesh për të mbrojtur konsumatorin, shmangien e praktikave jo-konkuruese dhe diskriminuese si dhe rritje të qëndrueshme ekonomike.