Pjesa e dytë
E them qartë dhe shkoqur: heroina është bërë një epidemi për shkak të legalizimit të marihuanës. E donim barin legal dhe në pjesën më të madhe ia kemi arritur. Në 4 shtete të Shteteve të Bashkuara sot është i legalizuarm në të tjerë konsumi nuk përbën më krim dhe në shumë juridiksione policia refuzon që të zbatojë normativën ekzistuese, duke i dhënë jetë legalizimit de facto. Lajme të mira, apo jo?
Jo për Kartelin e Sinaloa, që në 2012, kur Colorado miratoi Amendamentin 64, ishte tashmë karteli dominues në Meksikë. Bari ishte një prej burimeve të mëdha të fitimit, por se nuk arrinin të konkurronin më me produktin amerikan, cilësisht më i mirë, për më shumë përballë kostove të transportit e të sigurisë shumë më të ulëta. Vetëm në një vit, Karteli pësoi një rënie prej 40 përqind të shitjeve të marihuanës, baraz me miliarda dollarë. Marijuana meksikane u bë një produkt i pavlerë. Thjesht kanë pushuar së kultivuari: plantacionet e pafundme të Durango sot janë të lëna djerrë. Lajme të tjera të mira, apo jo? Hëm, jo. Guzmán dhe të tijët janë biznesmenë. Nuk ka mundësi që të pësojnë një humbje kaq të rëndë pa reaguar. Duhej t’i realizonin ato fitime në një mënyrë tjetër. Në tregun amerikan të drogës panë një mundësi. Një numër gjithnjë e më i madh amerikanësh ishte i varur nga analgjezikë me bazë opiumi si Oxycontin. Dhe ishte një varësi e kushtueshme. Një kapsulë Oxy në rrugë shkonte deri 30 dollarë dhe konsumatorë të caktuar kishin nevojë për 10 të tilla në ditë.
Lexoni këtu pjesën e parë: El Chapo dhe historia sekrete e krizës së heroinës
Çfarë fati, menduan narkosët. Plantacionet tona të lulëkuqeve janë ndër më të mirat e botës. Opium, morfinë, heroinë – thelbësisht janë e njëjta drogë, kështu që… Karteli i Sinaloa vendosi që t’i mundë në çmim kompanitë farmaceutike. E rritën me pothuajse 70 përqind prodhimin e heroinës meksikane dhe ia përmirësuan pastërtinë, duke punësuar “kuzhinierë” kolumbianë për të prodhuar heroinë “cinnamon”, e fortë si ajo e Azisë Lindore. Nga një produkt i pastër rreth 46 përqind kaluan në shitje heroine të pastër në 90 përqind. Lëvizja e tretë e tyre ndoqi strategjinë klasike të ekonomisë së tregut, domethënë i ulën çmimin. 1 kilogram heorinë arrinte 200000 dollarët në New York disa vite më parë, kushtonte 80000 në 2013 dhe sot ka zbritur në rreth 50000. Një sasi më e madhe produkti më të mirë me një çmim më të ulët: e pathyeshme. Ndërkohë, të preokupuara nga rritja vertikale e të vdekurve nga mbidoza e opodiëve të dhënë me recetë (165000 nga 1999 në 2014), autoritetet amerikane i nxorrën pengesa të mëdha shpërndarjes, si legale, ashtu edhe ilegale, duke ia hapur kështu dyert heroinës meksikane, që kushtonte nga 5 – 10 dollarë doza. Por konsumatorët e hapave nuk qenë të mësuar me forcën e kësaj heroine të re. Edhe heroinomanët u kapën gafil.
Për pasojë, vdekjet nga mbidoza u rritën në mënyrë marramendëse, janë dyfishuar midis 2000 dhe 2014. Në 2014 vdiqën nga mbidoza më shumë se 47000 persona, një primat absolut në historinë amerikane. (Philip Seymour Hoffman, ndoshta viktima më e famshme, vdiq me 2 shkurt 2014, mu në kulmin e epidemisë). Bëhen gjithsej 125 persona në ditë, me shumë se 5 të vdekur në orë, një përqindje vdekshmërie e barabartë me atë të regjistruar në kulmin e epidemisë së AIDS-it në.
Sinaloa, Irak
Me 21 shkurt 2014, pas 13 vitesh në kërkim si më i kërkuari në Meksikë (pavarësisht shfaqjeve të shumta në ristorante, në koncerte dhe në raste festimesh), Guzmán u arrestua sërish. Gazetarëve që më pyesnin u përgjigjesha me një fjalë të vetme: Irak. «Në çfarë kuptimi?», më pyesnin dhe unë u kujtoja se në boshllëkun e pushtetit që ka pasuar kapjen dhe ekzekutimin pasues të Saddam Hussein, Iraku kishte rrëshqitur në një dhunë sektare, shiitë kundër sunitëve. Fundi i Saddam kishte çuar në lindjen e IS-it, që do të pushtonte qytetet irakene e siriane, duke i dhënë jetë mbretërisë së terrorit.
Kujdes, nuk po derdh lot as për Saddam, as për Guzmán, të dy vrasës dhe torturues. Por dhuna e frikshme e luftës për pushtet e Guzmán në 2014 tashmë ishte qetësuar ndjeshëm, pikërisht pse e kishte fituar (me kontributin mjaft pasiv të qeverisë meksikane dhe asaj amerikane) duke i dhënë jetë të ashtuquajturës Pax Sinaloa. Historikisht, Karteli i Sinaloa ka qenë organizata më pak e dhunshme e narkotrafikut meksikan. Në ato nivele nuk duhet shumë, por për një periudhë të gjatë qeveria meksikane e konsideroi të praktikueshëm dialogun me Guzmán dhe të tijët, e imagjinueshme për shembull për Kartelin Zetas. Shumë gazetarë e shkrimtarëve, përfshirë mua, janë të bindur se qeveria meksikane përfundoi për ta mbështetur Kartelin e Sinaloa gjatë viteve të këqija të luftës midis narkotrafikantëve, me qëllimin e vendosjes së një minimum rregull. Numrat i japin të drejtë kësaj teorie – vetëm 12 përqind e mijëra arrestimeve dhe vrasjeve të narkosve të kryera nga policia dhe ushtarakët kanë të bëjnë me anëtarët e Sinaloa, organizata numerikisht më e fortë. Dihej se Guzmán dhe të tijët qenë kundër dhunave ndaj civilëve (edhe në këtë rast gjithçka është relative). Për shembull, i ndaloi të tijët që të kryenin rrëmbime, aktivitet fitimprurës për kartelet e tjera.
Fuqia e madhe e Kartelit të Sinaloa, i drejtuar nga Guzmán dhe nga ortakët e tij, Ismael “El Mayo” Zambada García dhe (ndoshta i ndjeri) Juan José Esparragoza Moreno, ruante një paqe të brishtë midis organizatave më të vogla të shumta. Kjo shpjegon ndërkaq sjelljen ambige, le të themi, të qeverisë meksikane ndaj kapjes së Guzmán. Të mos fshihemi pas gishtit: sikur korrupsioni të ishte disiplinë olimpike, Meksika do ta fitonte përjetësisht medaljen e artë. Karteli i Sinaloa thjesht kishte blerë elementë të adiministratës locale, shtetërore e federale. Në veçanti Zambada ishte grepi politik midis kartelit, qeverisë dhe pushteteve biznesore. E gjitha kjo, përtej faktit që kartelet kontrollonin midis 8 dhe 12 përqind të ekonomisë meksikane, i dhanë narkosve të Sinaloa pushtet dhe influencë të jashtëzakonshme. Fitimet miliardëshe nga droga, të investuara në aktivitete legjitime, e bënë ekonominë meksikane të varur nga narkotrafiku.
Vetëm 7 muaj nga kapja e Guzmán, me lëkundjen e paqes së Sinaloa, në Meksikë u verifikua një masakër në nivele të papara ndonjëherë. Me 26 shtator 2014, në Iguala, një qytet vetëm 3 orë larg në jug të Mexico City, u zhdukën 43 studentë të një shkolle në Ayotzinapa. Për shkak të indinjatës ndërkombëtare dhe protestave massive, qeveria u detyrua që, hëm, të nisë një hetim nga ku doli në fund se policia i kishte nxjerrë studentët nga 4 autobusët që këta të fundit kishin kidnapuar për të shkuar në një manifestim në Mexico City, për t’a dorëzuar më pas një organizate emergjente narkotrafikantësh, me emrin e bujshëm Guerreros Unidos. Studentët qenë çuar në një grumbullim mbeturinash në periferi të qytetit më të afërt. 15 kishin vdekur të asfiksuar gjatë udhëtimit. Të tjerët qenë pyetur e vrarë, trupat u qenë djegur me benzinë dhe me goma të vjetra. Faji i tyre? një version thotë se kryebashkiaku thjesht nuk ua vlerësonte orientimin politik të majtë. Dhe atëhere i ka dorëzuar nga policia… tek narkosët?
Kjo nuk ka kuptim, ashtu siç nuk kanë kuptim të gjitha gënjeshtrat të cilave Presidenti Enrique Peña Nieto na ka kërkuar që t’u besojmë. Kurse versioni i dytë është në fakt një klasik meksikan që paraqitet në çdo masakër: narkosët e Guerreros Unidos dyshonin se mos studentët qenë të lidhur me organizatën rivale narkotrafikuese Los Rojos. Është e mundur dhe këtu vlen analogjia me Irakun. Ashtu si rënia e Saddam shpërtheu urrejtjet e lashta, edhe kapja e Guzmán rindezi grindje të vjetra të përgjakshme, aq komplekse se ta mbushin një sezon të “Game of Thrones”. Në sintezë: Guzmán dhe katër vëllezërit Beltrán Leyva, dikur shumë miq, u grindën pasi Guzmán bëri të arrestohej njëri prej tyre dhe një tjetër u vra gjatë një tentative kapjeje. Një prej fushëbetejave të luftës së mëpasme midis Organizatës Beltrán Leyva (OBL) dhe Kartelit të Sinaloa ishte shteti Guerrero, vendi i masakrimit të studentëve. Karteli i Sinaloa ia zhvati OBL-së pas një lufte të përgjakshme.
Narkosët e Guerreros Unidos që kanë vrarë studentët qenë besnikë ndaj OBL-së dhe vetëm zemërthyer u qenë nënshtruar narkosëve të Sinaloa pasi janë mundur në luftë. Pas kapjes së Guzmán, pjesët e mbetura të OBL-së kanë parë mundësinë e një ringjalljeje. Los Rojos, grupi tjetër rebel në luftë për kapjen e shtetit Guerrero, kishte nga ana e tij hesape për të larë si me Guerreros Unidos, ashtu edhe me narkosët e Sinaloa. Më parë në lidhje me Kartelin e vjetër të Gjirit, kishte luftuar kundër OBL-së kur ky i fundit ishte ende pjeë e koalicionit me Sinaloa. Në boshllëkun e pushtetit që ka pasuar arrestimin e Guzmán, Los Rojos kanë parë mundësinë e rifitimit të hapësirës. Në shtetin Guerrero, i kontrolluar nga Karteli i Sinaloa, vrasja e 43 studentëve do të kishte kërkuar autorizimin eksplicit të Guzmán, që nuk do ta kishte dhënë kurrë. Që Guerreros Unidos kanë marrë lirinë e kryerjes së kësaj masakre është një fakt jashtëzakonisht i rëndë për të ardhmen paqesore të Meksikës.