Njëzet vjet më parë, Britania festoi një fitore zgjedhore, e cila solli me vete shpresën e Laburistëve të Rinj dhe kryeministrin më të ri, në njëqind vite.
Dukej se çdo gjë ishte e mundur dhe, siç premtonte kolona zanore e fushatës zgjedhore të partisë, gjërat me të vërtetë mund të përmirësoheshin.
Në një intervistë ekskluzive për Daily Mirror, Tony Blair flet në 20-vjetorin e fitores së tij epike në vitit 1997 kundër John Majorit – bashkë me zbulimin e jashtëzakonshëm, se po rikthehet në politikën e Mbretërisë së Bashkuar.
Për një njeri që shkaktoi zemërim të madh me vendimin e tij për të ndjekur Amerikën në luftën në Irak, kjo është një lëvizje e guximshme.
“Kjo çështja e Brexit më ka dhënë një motivim të drejtpërdrejtë për t’u përfshirë më shumë në politikë”, deklaron me pasion Blairi. “Duhet t’i futesh punës, të ‘bësh duart pis’, dhe unë do ta bëj”.
Po, ai është rikthyer.
Duket sinqerisht i shqetësuar për vendin, të cilit po i shitet ëndrra e Brexit, e cila shumë shpejt mund të shndërrohet në një makth.
“Nuk e dimë ende se cila do të jetë marrëveshja përfundimtare për Brexit,” thotë ai, plot me energjinë e dikurshme të Blairit mesianik.
“Ne po mbrojmë një pozicion shumë të arsyeshëm britanik, që do të thotë, ‘Le të shohim se çfarë do të bëjnë konservatorët në fillim’.
“Sepse ka një pjesë të Partisë Konservatore, e vendosur për të ofruar Brexit-in, pa marrë parasysh koston”.
Dhe në një paralajmërim për votuesit, ai shton: “Tregu i përbashkët na futi në në ‘Ligën e Kampionëve’ të marrëveshjeve tregtare. Një marrëveshje e tregtisë së lirë është si Liga e Parë (kategoria e dytë në Angli). Ne jemi duke zbritur një kategori më poshtë”.
Por shikoni pak më afër, dhe do t’ju bëhet e qartë se ambicia e re politike e Tony Blairit, nuk fillon dhe nuk përfundon me Brexit-in.
“Ne jetojmë në një botë të përcaktuar nga ndryshimi. Ka strese kulturore, njerëzit janë të shqetësuar për imigracionin, mënyrën se si komunitetet e tyre kanë ndryshuar, strese ekonomike, njerëzit janë të shqetësuar për cilësinë e punës së tyre … apo edhe nëse do ta kenë një punë.
“Unë do të marr pjesë në mënyrë aktive, në përpjekjen për të formuar debatin e politikave dhe kjo do të thotë që do të dal nëpër vend dhe do të përpiqem të krijoj sërish lidhje me njerëzit”.
Sidoqoftë, gjërat kanë ndryshuar shumë në 10 vitet, që kur ai ka munguar. Dhe Blairi e pranon: “Unë e di se në çastin që do të nxjerr kokën nga dera, do të më lëshojnë një kovë me ujë, por ndihem vërtetë plot pasion për këtë gjë. Unë nuk dua të gjendem në situatën, ku kalojmë këtë moment të historisë sonë, dhe unë nuk them asgjë, sepse kjo do të thoshte që mua nuk më
Ai këmbëngul se nuk po heq dorë nga puna “shtatë ditë në javë” në fondacionin e tij, për t’u bërë përsëri deputet.
Por ai do të bëjë shumë më tepër, sesa të punojë në dokumente të pluhurosur politikash.
“Nuk është politikë në frontin e parë, në kuptimin që nuk do të kërkoj të hyj në parlament,” shpjegon ai.
“Nuk jam i sigurt që mund të kthej diçka në një lëvizje politike, por mendoj se ka një grup idesh që njerëzit do të mund t’i mbështesin”.
Ndoshta si “En Marche!”, partia e re plot shkëlqim e qendrës së majtë në Francë, udhëheqësi i ri e i pashëm i të cilës, Emmanuel Macron, është gati të fitojë presidencën.
“Nuk po flas …”, pret shkurt Blairi.
BREXIT
Për 52 % të votuesve britanikë, përgjigja që Tony Blairi ka për të ardhmen – qëndrimi në BE – u hodh poshtë në 23 qershor të vitit që kaloi. 65 % e klasës punëtore votuan për të dalë nga BE.
“Kjo nuk ka të bëjë me hedhjen poshtë të vullnetit të popullit”, thotë Blair.
“Po them që vullneti i popullit mund të ndryshojë kur të shohin marrëveshjen finale”.
Atëherë, a e adhuron ai ende Partinë Laburiste, si thoshte dikur?
“Sigurisht që jam thellësisht i lidhur emocionalisht me Partinë Laburiste,” thotë ai, duke tingëlluar disi më pak i apasionuar, se sa adhurimi.
Dhe duhet të ketë një ndjesi shastisjeje, për mënyrën se si u shembën Laburistët e Rinj. Se si qendra nuk mundi të mbajë dhe anija u anua majtas.
“Mirë, në fund të 10 viteve të kohës sime si kryeministër ka pasur gjëra që njerëzit me të vërtetë i kanë kundërshtuar; Iraku padyshim, dhe politika jonë e jashtme pas 11 shtatorit.
“Por mos hidhni poshtë arritjet e asaj qeverie – investimet e mëdha në shërbimin shëndetësor dhe në shkolla, ne reduktuam varfërinë e pensionistëve dhe varfërinë e fëmijëve, futëm pagën minimale, kemi bërë shumë”.
Po, arritjet ishin shumë. Por, për një numër të madh të publikut, vendimi për të shkuar në luftë në Irak errëson shumë prej tyre.
Ai gjithashtu pranon se ishte një gabim që “humbi kontrollin” e imazhit të tij publik në vitet pasi u tërhoq.
Ai dhe gruaja Cherie janë sulmuar gjerësisht për milionat që kanë bërë gjatë dekadës së kaluar. Duke hedhur poshtë pretendimet se ai ka pasuri me vlerë 60 milion stërlina, ai e vendos pasurinë e tij në “më pak se 20 milion”.
“Unë kam aftësinë për të fituar para,” thotë ai thjesht. “Kam bërë para që më kanë dhënë një shtëpi të bukur në Londër dhe një shtëpi të këndshme në fshat, dhe jam shumë me fat dhe këto dy prona janë pjesa më e madhe e pasurisë sime.
“Por unë kam dhënë më shumë se sa kam fituar. Nuk është ajo që më motivon”.
Sot termi “Blairite” konsiderohet si forma përfundimtare e abuzimit.
Pra, a është Brexit arsyeja e vërtetë pas vendimit të tij për t’u kthyer në politikë, apo është më tepër detyrimi i nxitur nga egoizmi, i një 63 vjeçari, një dekadë pasi ka lënë pushtetin, dhe ende në përpjekje për të ndryshuar trashëgiminë e tij, pas katastrofës së luftës në Irak?
Si e bën të ndihet fakti që konsiderohet toksik nga kaq shumë njerëz?
“Po, është e vështirë. Gjithçka ka të bëjë me faktin se kur garon për pushtet, ju mund të jeni gjithçka, për të gjithë njerëzit. Por kur e merrni pushtetin, duhet të merrni vendime dhe kur kjo ndodh, procesi i qeverisjes bëhet vetë jeta juaj, dhe kështu ju bëheni më pak popullor. Shumë prej sulmeve për mua janë bërë, sepse unë jam përfaqësuesi i asaj lloj qendre të majtë të politikës. Njerëzit në të djathtë nuk do të donin kurrë që politikat e mia të ktheheshin në Partinë Laburiste, sepse ata e dinë se mund të sjellin humbje të konservatorëve. Dhe për fat të keq, gjithnjë ka qenë mënyra e të majtës, që tenton të sulmojë të vetët”.