Nga
Duket si diçka e çuditshme se nga e nxori termin Republika e re Basha në ato ditët e ngatërruara që shoqëruan atë dhe të tjerë në çadër. Po nuk është e vështirë të shihet se nga e ka burimin. Në disa prej artikujve të njërit prej kandidatëve për deputetë, flitet shpesh për rrëzmin e Republkës së vjetër.
Ashtu në ecje sipër, si e ka zakon, Basha e veshi konceptin në një mënyrë jo të njohur, qoftë edhe nëpër manuale fillestarësh. Termi u duk i fortë dhe mallëngjeu edhe disa profesorë, akademikë apo edhe analistë, që po ashtu si kryetari i PD-së, filluan t’u bien borive të propagandës. Në histori mund të kemi lexuar nga pak për themele të Republikave të reja. Ka shumë shembuj kur është proklamuar ajo si inisiativë. P.sh. francezët janë të njohur me termat Liri, Barazi, Vëllazëri. Po këto terma u përgatitën së pari nga kolosët që kanë hyrë në histori me kohë si Didero, Volter apo rrethi i madh i enciklopedistëve të kohës. Këto teza pastaj u materializuan nga kolosë të tjerë si Robespier, Marat, apo Danton.
Mund të flasim për shumë inisiativa të ngjashme, që çuan në përparimin e vendeve përkatëse, por ajo që shoqëroi termin Republikë e re te fjalimet e Bashës, nuk është parë e dëgjuar. Pas amabalazhit të zakonshëm si të luftojmë të korruptuarit, hajdutët etj., karakteristikë kjo e njëzet e pesë viteve të këtij që e quajmë tranzicion, Basha filloi nga shifrat, por gjëkundi nga idetë. Një ishte në lidhje me taksat me të cilat nëpërmjet numrit magjik 9 për qind, do të ishim të parët në Ballkan etj., etj. E pyeta Ramën me gjysmë shakaje se çfarë kuptonte ai me inisiativën për një Republikë të re. Kjo sepse në ambicien e tij normale, besoj se do të kishte vend edhe për një ëndërr të tillë. Mendoj se më e pakta do të ishin dy shtylla që do të ishin një ëndërr për t’u realizuar, më tha. Së pari, strategjia kombëtare dhe po ashtu reforma kushtetuese.
Mirë shumë, po si bëhen këto?
Plaku Balzak thotë në një nga kryeveprat e tij se ligji dhe morali janë konvencione që ndryshojnë sipas klimës dhe vendit. Ajo që në Paris është një ves, në Azi është domosdoshmëri. Pra është e qartë se Kushtetuta e çdo vëlendi hartohet mbi kushtet e tij specifike. Ajo e Francës nuk mund të jetë e njëjtë me atë që është në një nga vendet e Azisë e kështu me radhë. Ajo merr parasysh jo vetëm zakonet e pashkruara të popujve që i kanë krijuar ato, nisur nga ambienti gjeografik ku gjenden, por dhe nga perfeksionimi i mënyrave me të cilat është siguruar mbijetesa në shekuj e një populli. Është e qartë se kur deformon njërin prej këtyre rregullave, do të kesh problem jetëgjatësie me Kushtetutën. Kjo ndodhi me atë Zogut, apo të Hoxhës. E natyrisht, kështu do të ndodhë dhe me këtë tonën që është formuluar në ’98-n, e pastaj është arnuar e stërarnuar disa herë. E nuk do ndonjë mendje të madhe për të kuptuar se herët a vonë edhe ajo do të japë shpirt.
Por plaku Balzak thotë akoma në të njëjtin libër se ligji dhe kushtetuta mund të zbatohen vetëm në rastin e qeverisjes së mirë. Ligjet që dalin nga një qeverisje e dobët, kur venë në provincë, rrudhen e deformohen, sa ngandonjëherë kthehen në të kundërtën e thelbit të tyre. Dhe më tej shton… Në këto raste, nëse gjendesh në provincë si zyrtar i ri, duhet t’i lutesh zotit për të gjetur ndonjë mik në pushtetin qendror, apo të bësh krushqi me feudalët e zonës për të shpëtuar ti vetë nga fatkeqësitë. Në këto fjalë të gjeniut të madh francez, duket se shikojmë Shqipërinë tonë të gjorë.
Punët duket se janë keq në të dyja drejtimet. Kushtetuta nuk reflekton asnjë prej dy karakteristikave. Atë të ambientit gjeografik dhe atë mbijetesës që imponon zakonet e një vendi. Po ashtu, edhe kushti i dytë nuk ekziston, ai i qeverisjes së mirë. Po a mund të rregullohen këto dy probleme esenciale duke folur andej-këndej në tribuna nëpërmjet shifrave 9 për qind apo 10 për qind? Dhe nëse kjo analizë sipër mban erë të vërtete, është e vërtetë, atëherë kuptojmë thjesht se duhet të gjejmë qerestenë. Secili nga ne të vjetrit e mban mend mirë atë filmin, ku duke krruar kokën, një nga fshatarët thotë i menduar duke parë urën e re: Eh, të kishim ca qereste! Në rastin tonë fabula është e thjeshtë. Qeresteja janë njerëzit. Kur akademikët a profesorët e veçantë thirrën të entuziazmuar për Republikën e re, m’u dukën më të vegjël se fshatari që i kërkonte qerestetë për Urën e fshatit..
Ku është qeresteja!
Në paditurinë time, gjithnjë kam menduar se ndërtimi i një vendi i ngjan ndërtimit të një teorie fondamentale shkencore, e cila ka në krye një princip, shoqëruar gjithnjë nga një aparat matematik dhe pastaj nga ligjet përkatëse. Këto tri elemente janë të harmonizuara dhe nuk mund të kundërshtojnë njëri-tjetrin. Nëse p.sh. vendi ynë është tranzit dhe po ashtu blegtoral e bujqësor, është e natyrshme që ligjet kryesore, dalë nga parlamenti, duhet të shoqërojnë këto dy kolona. E pas kësaj, sistemi arsimor, po ashtu në pjesët më të rëndësishme të tij, ndjek po me rigorizitet përsosjen e këtyre qëllimeve që përcaktohen nga karakterstikat e vendit. Thënë shpesh, nëse vendit i mungojnë hekurudhat dhe portet që të lejojnë të lidhesh me të tjerët, natyrisht nuk mund të jesh kurrë vend tranzit.
Nëse vendi ynë nuk siguron një bujqësi e blegtori moderne, natyrisht nuk plotëson kushtet për të qenë vend i tillë. E akoma, nëse vendi ynë preokupohet të nxjerrë më shumë juristë e filozofë se agronomë, i kemi larë duart nga gjithçka. Mbetemi, në këtë rast, në mëshirën e ministrave të financës, socialistë apo demokratë, që bërtasin pa pushim si hoxhë të çmendur, se jemi rritur me kaq e aq për qind, apo broçkulla të ngjashme. Megjithëse Hoxha dikur ndërtoi një vend me një kushtetutë që nuk i përshtatej vendit, duke e vendosur nën thundrën e një partie, pa diskutim që ishte më i qartë se pasardhësit. Për të realizuar projektin e tij, që gjithsei rezultoi i dështuar, me gjithë punën kolosale të popullit të tij, ai u preokupua për të gjetur qereste…
Ne ku e kemi qerestenë, kjo është pyetja. Artikulli është shkruar nën përshtypjen e kritikave që u bënë këto dy ditë për listën e deputetëve të rinj, e kryesisht ata të PD-së. Mirë do të ishte të bëhej edhe për ata të PS-së. Sepse është e qartë. Këta duhet të jenë një pjesë e mirë e qerestesë që kërkojmë. E pastaj, në një radhë me ta, duhet të jenë ata akademikë e profesorë që na hodhën parullën e njohur të Republikës së re. Janë gjëkundi, thua? Nuk e di a janë apo janë të fshehur gjëkundi. Unë nuk i shoh… E prandaj, për vete them se për Republikën e re duhet gjetur qereste dhe jo zhurmaxhinj tribunash, o zotërinjtë e mi! (konica.al)