Rusët sot janë aq apatikë dhe të dorëzuar, siç ishin gjatë epokës sovjetike, shkruajnë Eva Hartog dhe Lev Gudkov në “The Moscow Times”. Nën sundimin e Partisë Komuniste, qytetari tipik ishte thellësisht mosbesues, jo vetëm ndaj shtetit, por edhe ndaj kujtdo, përveç familjes së tij të ngushtë.
E famshmja “Ata bëjnë sikur na paguajnë, ne bëjmë sikur punojmë” ishte motoja e pashprehur e ‘Homo sovieticus’, sepse ai dinte të shmangte kërkesat e autoriteteve, “ndërkohë që, mbante marrëdhënie joformale dhe korruptive me ta”.
Gjatë kaosit të viteve të hershme post-sovjetike, rusi mesatar ishte i shthurur, i turbulluar nga pasiguria e papritur e një vendi pune dhe i turpëruar për varfërinë dhe krimet historike të vendit të tij. Pastaj erdhi Vladimir Putini, për të rikthyer ndjenjën e dinjitetit.
Putini siguroi rusët se çdo vend kishte skelete në dollap, “nuk është aspak për të ardhur turp”. Më e rëndësishmja, ai e ktheu shtetin në rolin e tij “si kujdestar paternalist”. Rusi modern sot është shumë i ngjashëm me Homo sovieticus, vetëm se me makinë dhe rroba më të bukura.
Ai nuk mendon se mund ta ndryshojë qeverinë dhe nuk dëshiron ta provojë. Korrupsioni është kudo, ai ka mësuar të “përshtatet dhe të bëjë ujdi me autoritetet”. Rusët e rinj mund të protestojnë në raste të ndryshme, por shumë shpejt ata kooptohen në një sistem kompromisi dhe cinizmi. “Do të duhen më shumë se një brez për ta ndryshuar këtë”.