Referuar nevojave të evidentuara, 51 për qind e kredive do të shkojnë për familjet që plotësojnë kushtet për të marrë garsonierë, 22 për qind për apartamente të tipit 1+1, 20 për qind apartamente të tipit 2+1, si dhe 8 për qind apartamente për familje me shumë anëtarë të tipit 3+1
Pranvera Kola – DITA
Në muajin prill nis aplikimi për 1000 kreditë e buta që do jepen për strehimin e familjeve në nevojë. Dje në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, kryebashkiaku Erion Veliaj, ka konfirmuar se gjatë muajit të ardhshëm do të vijojë zyrtarisht procesi i aplikimit për kreditë e buta në të gjitha njësitë administrative të kryeqytetit.
Përfituesit më potencialë të këtij programi kredish pritet të jenë kryesisht çiftet e reja, të cilat kanë më shumë mundësi për të përballuar edhe masën e kredisë që duhet të shlyejnë çdo muaj, për arsye të moshës dhe nivelit të të ardhurave që disponojnë.
Autoritetet vendore sqarojnë se masa e subvencionimit të interesave të kredisë për familjet që do të përfitojnë nga programi i kredive të lehtësuara, do të jetë i barabartë me diferencën që rezulton mes interesit vjetor të kredisë në tregun e lirë, me interesin prej 3 për qind që paguan familja mbi principalin e kredisë.
Niveli i kredisë që përfiton secili aplikues varet nga numri i pjesëtarëve të familjes, si dhe niveli i të ardhurave të kërkuara. Konkretisht gjatë muajit prill do të nisë shpallja e procedurave të aplikimit, pranimi i kërkesave pranë njësive vendore.
Pas seleksionimit të parë të kërkesave do të vijohet me hartimin e listave të përfituesve, kalimin e tyre për miratim pranë Këshillit Bashkiak, si dhe në fund dërgimin e listave të miratuara në bankën përkatëse ku do të bëhet edhe marrja e kredisë.
Katër kriteret bazë për aplikim
Sipas vendimit të miratuar nga Këshilli Bashkiak për programin e kredive të buta, katër janë kriteret bazë që duhet të përmbushin aplikuesit që në fazën e parë të aplikimit.
Konkretisht, kanë të drejtë që të aplikojnë individë të cilët në momentin e paraqitjes së kërkesës kanë mbushur moshën 18 vjeç, familjet të cilat në momentin e paraqitjes së kërkesës nuk kanë në pronësi banesë, familjet që jetojnë në ambiente me sipërfaqe më të ulët se sa normat e miratuara të strehimit, si dhe familjet që zotërojnë të ardhura të kufizuara për të përballuar çmimet e lira në tregun e banesave.
Pas mbledhjes së aplikimeve është drejtoria e strehimit që do të shqyrtojë të gjitha kërkesat e paraqitura mbi bazën e plotësimit të këtyre katër kritereve, si dhe dokumentacionit shoqërues. Formulari i aplikimit fillimisht plotësohet pranë njësive administrative të vendbanimit të aplikuesit.
Më pas, kërkesa për aplikim së bashku me dokumentacionin e kërkuar duhet dorëzuar në kopje origjinale personalisht pranë zyrave të pritjes me qytetarët në Bashkinë e Tiranës, ose nëpërmjet postës në një zarf të vulosur që specifikohet vetëm për drejtorinë e strehimit.
Në vijim të shkrimit gjeni të detajuar listën e plotë të dokumenteve që duhet të shoqërojnë kërkesën për të përfituar nga programi i kredive të buta të strehimit.
Koha e shlyerjes së kredisë është supozuar për një periudhë të paktën 20 vjeçare. Në vijim të shkrimit do të gjeni të detajuar edhe nivelin minimal dhe maksimal të të ardhurave që duhet të disponojnë familjet në bazë të llojit të kredisë që u takon referuar numrit të pjesëtarëve të familjes.
Sipas skemës së detajuar nga autoritetet vendore të bashkisë, është supozuar për efekt përllogaritjesh që rreth 51 për qind e kredive do të shkojnë për apartamentet e tipit garsionere, 22 për qind apartamente të tipit 1+1, ndërsa 20 për qind e kredive do të jenë për apartamente të tipit 2+1, si dhe 8 përqindëshi i mbetur për apartamente të tipit 3+1.
“Nga muaji tjetër do të fillojmë procedurat për kreditë e buta. Momentalisht, Këshilli Bashkiak sapo ka marrë një vendim, i cili është zbardhur për rreth 1 mijë kredi të buta.
Besoj se paqja mendore e një gruaje që është në shtëpi të vet dhe që s’duhet të mendojë se kur do të zërë rrënjë ajo familje, është e pakrahasueshme me ato para që kemi vënë mënjanë për çështjen e kredive të buta”, ka deklaruar rreth këtij programi gjatë ditës së djeshme kryebashkiaku Erion Veliaj.
Dosja e dokumenteve që duhen për të fituar kreditë e buta të strehimit
- Çdo aplikant, së bashku me kërkesën e tij, duhet të dorëzojë edhe dokumentet si në vijim:
- Formularin e strehimit të plotësuar pranë Njësisë Administrative ku aplikanti ka vendbanimin.
- Certifikatën e lindjes dhe certifikatën e gjendjes familjare.
- Vërtetimin për vendbanimin në bashkinë ku kërkohet të bëhet strehimi, ose lejen e banimit për familjet që kanë lëvizur nga zona të tjera të vendit.
- Vërtetimin e të ardhurave neto të familjes dhe të individit.
- Dokumentacionin përkatës nga punëdhënësi për detyrën dhe të ardhurat përkatëse të aplikantit, si dhe të personave të tjerë të familjes që janë në marrëdhënie pune.
- Dokumentin nga organet tatimore dhe ato të sigurimeve shoqërore për derdhjen e kontributeve për të gjithë anëtarët e vetëpunësuar të familjes.
- Vërtetimin nga Zyrat e Ndihmës Ekonomike dhe ato të Përkujdesit pranë njësive të qeverisjes vendore, për anëtarët e familjes që janë të përfshirë në programin e pagesave që jepen për personat me aftësi të kufizuara.
- Vërtetimin nga zyra e punësimit të njësisë vendore përkatëse për personat e përfshirë në programin e pagesës së papunësisë.
- Vërtetimin nga organet e sigurimeve shoqërore për personat që janë në pension.
- Vërtetimin nga zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme që tregon se familja aplikuese, apo çdo pjesëtar i saj nuk disponon në pronësi ndonjë banesë, apo ndonjë mjedis tjetër të ngjashme që mund të përdoret si i tillë.
- Vërtetimin nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për sipërfaqen e banimit për familjen dhe anëtarët e tjerë që kanë në pronësi ambiente të cilat janë me sipërfaqe nën normat e përcaktuara të strehimit.
- Vërtetimin nga zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme të vendit të origjinës, që tregon se aplikuesi nuk figuron i regjistruar në asnjë pronë, e cila mund të përdoret për strehim për familjet që kanë ndryshuar ambientet e vendbanimit.
- Dokumentin zyrtar të celebrimit dhe certifikatat personale për efekt të llogaritjes së moshës për çiftet e reja.
- Vendimin e gjykatës që i lë në ngarkim fëmijën, ose fëmijët për çiftet që janë të divorcuara.
- Vërtetimin përkatës për institucionin ku ka qenë i strehuar dhe librezën e jetimit dhënë nga institucioni shtetëror i autorizuar për invalidët dhe statusin e jetimit.
- Vërtetimin e komisionit mjekësor të përcaktimit të aftësisë së kufizuar për individët me aftësi të kufizuara.
- Dokumentin e lëshuar nga institucionet përkatëse për personat që kanë statusin si: emigrant, punëtor emigrant dhe azilkërkues.
- Dokumentin e lëshuar nga institucionet shtetërore për familjet e punonjësve të rënë në krye të detyrës, që u përkasin Policisë së shtetit, Gardës, Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri, Forcave të Armatosura, Shërbimit Informativ, dhe Policisë së Burgjeve.
- Dokumentin e Lëshuar nga institucionet përkatëse për viktimat e dhunës në familje, punëtorët emigrant, dhe azilkërkues.
- Deklaratë noteriale që lëshohet nga kryefamiljari që shprehet se është dakord që kredia të lëvrohet për aplikuesin që rezulton i përfshirë në formularin e strehimit.
Tabela me nivelin e të ardhurave minimale dhe maksimale që duhet të sigurojnë përfituesit sipas llojit të apartamentit