Nga Flogert Muça
Ndryshimet e fundit në qeveri të cilat erdhën si pasojë e angazhimit të disa ministrave si drejtues politikë në qarqet e vendit, sollën edhe 2 zonja të tjera në kabinet. Sot qeveria Rama ka përbërje ku gratë janë mazhorancë (10 ministre) dhe burrat minorancë (9 ministra). Në fakt përfshirja e grave në qeveri ishin që me ardhjen e Ramës në pushtet në numër rekord krahasuar me të gjitha qeveritë që prej hyrjes së demokracisë. Por me përfshirjen e Xhaçkës e Manastirliut dje, u thye jo vetëm një tabu, por edhe rekordi i kryeministrit Kanadez i cili kishte 15 ministre gra dhe 15 ministra burra.
Kjo rritje e pjesmarrjes së gruas në kabinet natyrisht që përbënte një lajm të mirë për opinionin publik, i cili është zhgënjyer jo pak nga qeverisja e burrave në mazhorancë të theksuar për 23 vjet me radhë.
Por mesa duket ish-kryeministri Berisha nuk e ka pritur mirë këtë fakt dhe ka filluar sulmet ndaj dy ministreve të sapoemëruara. Doktori me sjelljen e tij agresive dhe ofenduese ndaj dy grave që u emëruan ministre dje, por edhe ndaj kujtdo gruaje a vajze që i del përpara në rrugën e tij politike, tregon atë që në fakt është vetë përbërja e tij psikologjike. Faktin se ai nuk e pranoi dhe nuk e besoi kurrë gruan si forcë përbërëse të shtetit që mund të marrë përgjegjësi njëlloj sa burrat. Në qeverisjen e Berishës mund të kishe burra si gra (Bumçi) dhe ministra burra që gratë i peshkonin për mbërtheckat si Pango. E vetmja grua e qeverisjes së PD-së ishte Majlinda Bregu të cilën e kanë degdisur si armike të partisë. Ky është kompleksi i tij që e mbërthen akoma më shumë kur kundërshtari tregohet krejt i ndryshëm nga ai.
Por nuk është vetëm kjo në fakt arsyeja se pse doktori sulmoi dje aq fort dy zonjat që morën poste ministrore, dy nëna, dy motra, dy bija. Arsyeja tjetër e fortë se pse doktori sulmoi dje dy gratë që u bënë ministre nga Rama, ishte në fakt kompleksi i madh që ai ka me gratë e tij që ka në shtëpi.
Doktori nuk sheh dot asnjë grua që është e suksesshme falë punës, përkushtimit dhe në rrugë të pastër. Ai e ka kompleks dhe makth faktin që gratë ecin përpara, marrin përgjegjësi dhe kanë sukses, jo se kanë babain, burrin apo vjehrrin kryeministër, por sepse janë të zonjat.
Ai nuk e pranon dot faktin se si dy gra (edhe të tjerat që janë në qeveri janë sulmuar barbarisht), nuk kanë as sa e zeza e thoit nga ato njollat në biografi që është mësuar të shpikë ai e që i mbart që nga koha kur ishte sekretar i parë, ndaj dhe hedh baltë ndaj tyre.
Ai nuk e pranon dot që gratë që s’janë as të familjes së tij biologjike e as familjare, të drejtojnë punët e shtetit.
E më kryesorja, Sali Berisha nuk e duron dot faktin që të bijën dhe jo vetëm i ka të zhytura në para e punë të paligjshme, ndërsa gratë e tjera ecin përpara ndershmërisht. Ky është kompleksi që e ha nga brenda doktorin në çdo moment kur përmendet fjala “vajzë” apo “grua” e suksesshme. Sepse ai gratë e familjes së tij i ka mësuar të ecin përpara duke i bërë shpërdoruese dhe pjesë të pushtetit abuziv të tij. Ku e bija luante rolin e sekseres me biznesmenët e huaj (http://www.gazetadita.al/biznesmeni-pakistanez-ansar-qe-akuzoi-argita-berishen-per-korrupsioni-rikthehet-ne-tirane/ ), ku nusja e djalit pushon në Maldive me paratë e Gërdecit e të tjera babëzi si këto që ca dihen e shumë të tjera akoma nuk janë nxjerrë në dritë të diellit.
Ai nuk i duron dot gratë dhe vajzat e përgjegjshme dhe të ndershme në rrugën e tyre të suksesit, sepse filozofia e tij është krejt tjetër. Ai nuk e beson vajzën dhe gruan si të aftë për të marrë përgjegjësi, por i nxjerr veç si recituese të deklaratave të shkruara nga burrat. Ndaj dhe tenton baltosjen e të gjithave atyre që janë ndryshe nga modeli i tij.