TURQI– Presidenti turk, Erdogan nuk ndalet me akuzat ndaj disa vendeve të Bashkimit Evropian, por edhe vetë Evropës në tërësi. Pak ditë pasi Gjermania, Zvicra, Holanda vendosën të ndalojnë tubimet politike në vendet me popullsi turke, Erdogan tha sot se “fryma e fashizmit” është përhapur në rrugët e Evropës, duke e krahasuar trajtimin e joevropianëve me atë të hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore.
“Fryma e fashizmit është duke u përhapur ashpër nëpër rrugët e Evropës. Hebrenjtë janë trajtuar në të njëjtën mënyrë në të kaluarën”, ka shtuar ai, duke iu referuar persekutimit të hebrenjve nën Gjermaninë Naziste, raporton AFP.
“Turkofobia është në rritje, islamofobia është në rritje. Ata janë të frikësuar nga vet migrantët që i strehojnë”, tha Erdogan, duke shtuar se Evropa po frikësohet nga gjithçka që “nuk është nga këtu”.
Autoritetet holandeze dhe gjermane kanë ndaluar ministrat turq që të mbajnë tubime, për të marrë mbështetjen e komunitetit turk për referendumin përmes së cilit do t’i rriten kompetencat Erdoganit. Referendumi pritet të mbahet më 16 prill.