Kreu i LIBRA-s, Ben Blushi, duke komentuar ndryshimet në qeveri ka akuzuar kryeministrin Rama se po paguan një “taksë të koalicionit” siç e quajti ai aleancën mes PS-së dhe LSI-së.
Blushi nënvizoi se Rama është përgjegjësi kryesor i shkatërrimit dhe falimentimit të vendit.
“Ministrat u hoqën si taksë për koalicionin me Ilir Metën. Nëse dje ishte slogani, një parti mbi Shqipërinë, tani është dy parti mbi Shqipërinë, sepse Meta hoqi Saimirin dhe Edi ngarkoi Fatmirin. Kjo është taksa e koalicionit, sepse nuk po punon dhe ndryshon për asgjë për Shqipërinë e Rilindjes. Nëse Ilir Meta nuk do një ministër, ai nuk bëhet ministër, kjo pra është taksa e koalicionit”.
I pari që duhej të ikte nga qeveria, sipas Blushit, është kryeministri Rama: “Kuvendi kanabizohet dhe rendi cenohet. Është totalisht qesharak, mazhoranca është e shpartalluar. E vërteta është që qeveria është kanalizuar, është falimentuar, ka rënë cilësia e jetesës, ka rënë konsumi. Kostoja e shëndetit është rritur, mbi 200 mijë shqiptarë kanë emigruar. Si mund të pranohen që ndërrohen ministrat si kuaj gare, asgjë e lidhur me interesin publik, gjithçka e lidhur me interesin privat”, – u shpreh Blushi.