Analizat e toksikologjisë treguan se autori i incidentit në aeroportin francez të Orly kishte konsumuar alkool, kanabis dhe kokainë përpara se të sulmonte ushtaren e të qëllohej për vdekje nga kolegët e saj.
Episodi i së shtunës shkaktoi frikë e solli mbylljen e përkohshme të aeroportit të dytë më të madh të Parisit. Edhe pse hetimet për zbardhjen e motiveve të agresorit vazhdojnë, babai i tij këmbëngul se i biri nuk është ekstremist dhe se veprimet e tij ishin pasojë e pijes dhe drogës.
“Djali im nuk është terrorist. Ai nuk është lutur kurrë, vetëm se konsumonte alkool”, është shprehur i tronditur burri.
39-vjeçari Ben Belgacem, i lindur në Francë nga prindër tunizianë, i mori armën një ushtareje në terminalin jugor të aeroportit, ndërsa e kërcënonte me një pistoletë në kokë.
Ai duket të ketë thënë se donte “të vdiste për Allahun”.