Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, mori pjesë në një takim me strukturat e Lëvizjes së Gruas për Integrim të qytetit të Lushnjes.
Në fjalën përshëndetëse të mbajtur gjatë këtij takimi, Meta tha se fuqizimi i gruas do të thotë fuqizim i familjes dhe se kjo është shumë e rëndësishme për shoqërinë tonë të tronditur gjatë këtyre 26 viteve nga trauma të mëdha sociale.
“Fuqizimi juaj është fuqizim i familjes, është investim i drejtpërdrejtë. Një nënë çdo të ardhur më shumë që fiton do ta investojë për shkollën e fëmijës, për mirëqenien e familjes. Forcimi dhe fuqizimi i gruas dhe i nënës është fuqizim i familjes dhe kjo është shumë e rëndësishme për shoqërinë tonë të tronditur gjatë këtyre 26 viteve nga trauma të mëdha sociale, që përjeton vazhdimisht, për një pjesë të mirë të të cilave shkaktare është politika konfliktuale, që nuk merret me zgjidhjen e këtyre çështjeve sociale. Politika ka për detyrë t’ i zgjidhë problemet, t’i pakësojë ato dhe jo t’i shtojë dhe t’i rëndojë”, tha Meta.