Kryeministri Edi Rama, gjatë nënshkrimit të Paktit Kombëtar për Mirëqenien Sociale, deklaroi se sot është trefishuar ndihma ekonomike, pasi janë hequr nga skema e saj të pasurit që e merrnin atë.
“Për vite me radhë, paratë e ndihmës ekonomike u janë hequr të varfërve dhe u janë dhënë atyre që nuk ishin në nevojë, por për të cilët kishin nevojë partitë. I gjithë fondi u shpërndahej kryetarëve të komunave për qëllime elektorale dhe mbanin lidhur një zinxhir skllevërish të varfërisë, të cilët kushtëzoheshin për marrjen e ndihmës me fotografimin e votës”, tha Rama.
Kryeministri shtoi se ndihma ekonomike “nuk është e mjaftueshme, por është 3 herë më e lartë se ajo që ishte”.
“Kjo sepse u hoqën ata që e merrnin deri dje dhe jetonin nëpër vila”, u shpreh Rama.