Grupi mbështetës për çështjet shqiptare në Senatin amerikan u riaktivizua. Lajmi u bë i ditur në takimet që ministri i Jashtëm Ditmir Bushati zhvilloi me bashkëdrejtuesit e grupit, senatorët Gary Peters nga Miçigani dhe Joni Ernst nga Ajoua.
Pjesë e grupit janë senatorë republikanë dhe demokratë, me synim mbështetjen, promovimin dhe favorizimin e dialogut në Senatin Amerikan mbi Shqipërinë dhe çështjet thelbësore, jo vetëm të komunitetit shqiptaro-amerikan, por edhe të shqiptarëve në rajonin e Ballkanit.
“Shqipëria është një aleate kyçe e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe një anëtare e vlerësuar e komunitetit ndërkombëtar, e cila është e angazhuar në konsolidimin e demokracisë dhe zbatimin e reformave kyçe”, u shpreh senatori Peters gjatë takimit me ministrin Bushati.
Senatorja Ernst nënvizoi peshën specifike të marrëdhënies shqiptaro-amerikane në Europën Juglindore dhe u angazhua që së bashku me senatorin Peters të ndihmojnë thellimin e lidhjeve shqiptaro-amerikane dhe mbështejen e të drejtave demokratike të shqiptarëve në vendet e Ballkanit.