Kryebashkiaku i Medelinit, Federico Gutierres thotë se Wiz Khalifa duhet të kërkojë falje, sepse sipas tij ka dalë në “mbrojtje të krimit”. Në vend të luleve mbi varrin e ish-kreut të drogës, ai duhej të çonte lule në viktimat e shkaktuara nga Escobari, vijon pretendimi i kryebashkiakut.
Fotot e publikuara nga reperi 29-vjeçar nga Pittsburghu, i cili mbajti një koncert në Medelin të premten, tregonin lulet dhe një degë marijuane mbi varrin e Pablo Escobarit.
Wiz Khalifa është një konsumator i njohur i hashashit, ndërsa i ka vënë emrin e tij edhe një lloji hashashi që e tregton përmes një kompanie në Kolorado. Por “ngushëllimi” për lordin e vdekur kolumbian të drogës nuk i ka pëlqyer aspak kryebashkiakut të Medelinit, i cili e etiketoi reperin me fjalën “faqezi”.
“Duket se ky djalosh nuk ka vuajtur kurrë nga dhuna e shkaktuar prej trafikantëve të drogës, si puna e Escobarit”, tha Gutierrez.
Pablo Escobar dhe karteli i tij i Medelinit ishin përgjegjës për rreth 4.000 të vrarë, përfshi bombën e vendosur në një avion, pas së cilës humbën jetën 107 persona. Qyteti i Medelinit është përpjekur të shuajë imazhin e keq si kryeqendra e drogës, që kur Escobari u qëllua për vdekje nga policia në vitin 1993.
Por ka edhe nga ata që nuk shqetësohen, madje habiten nga irritimi që ka shkaktuar vizita e Wiz Khalifës në varrin e lordit.