Vendimi i gjykatësit Derrick Watson do të thotë që Trump nuk do të mund të nisë zbatimin e ligjit që ndalon shtetasit nga 6 vende myslimane të hyjnë në SHBA, për sa kohë që ai diskutohet në gjykatë. Në një padi, shteti amerikan tha se vendimi do të dëmtonte turizmin dhe aftësinë për të rekrutuar studentë dhe punëtorë të huaj.Trump thotë se urdhri i nënshkruar prej tij ka si qëllim të ndalojë hyrjen e terroristëve në SHBA. Por, gjykatësi Watson, pasi dëgjoi argumentet e avokatëve të shtetit të Hauait dhe Departamentit Amerikan të Drejtësisë, e shtyu pa afat vendimin e mëhershëm të pezullimit.
Urdhri ekzekutiv i 6 marsit i Presidentit Donald Trump ndalonte hyrjen në SHBA të shtetasve nga Irani, Libia, Somalia, Sudani dhe Jemeni. Një version i mëparshëm i tij, i nënshkruar në janar, kishte shkaktuar konfuzion dhe protesta dhe u bllokua nga një gjykatës në Siatëll. Edhe të tjera gjykata në SHBA kanë dhënë vendime të ndryshme mbi urdhrin.
Trump është ankuar për një tejkalim të kompetencave nga gjykatat dhe ka premtuar se do t’i shkojë kësaj çështjeje deri në fund. Urdhri i parë i Trump përfshinte në listë edhe Irakun, por në urdhrin pasues ky vend u hoq, pasi, siç u argumentua, qeveria irakiane ka përmirësuar kontrollin e vizave dhe ndarjen e të dhënave.