Sa më shumë kalojnë ditët aq më shumë rriten dyshimet se Neymar do të vazhdojë të mbajë të veshur fanellën e Barcelonës. Mediat angleze e quajnë pothuajse të mbyllur kapitulin e brazilianit me katalanasit, duke e dërguar atë drejt e në “Old Trafford” nën urdhrat e Jose Mourinhos.
Edhe pse portugezi pak ditë më parë deklaroi se më e lehtë është të blesh Messin se sa sulmuesin brazilian, duket se pas kuintave ai po lëviz me shpejtësi për t’ia bashkuar asin e Barcelonës skuadrës së tij. Mediat ishullore theksojnë se mundësia për të parë Neymar sezonin e ardhshëm në Premier League është e madhe.
Sipas “The Sun”, ish sulmuesi i Santosit po e vuan shumë bashkëpunimin në sulm me dy pesha të rënda si Messi dhe Suarez, prandaj ai po bën gati valixhet dhe destinacioni më i mundshëm është Manchester United që ndryshe nga PSG i ofron mundësinë të garojë në një kampionat të luftuar dhe shumë të bukur.
Një tjetër alternativë për sulmuesin është edhe Chelsea që gjithsesi nuk mund të bëjë shpenzime të çmendura si në rastin e “Djajve të Kuq” që kanë gati 200 milionë Euro për t’ia postuar Barcelonës. Kontrata e Neymar me katalanasit skadon në vitin 2021 por klauzola mund të rezultojë çelësi i suksesit për transferimin e tij në ishull. Në të njëjtën kohë, Manchester UNited ka edhe një propozim joshës për ta bërë Neymar lojtarin më të paguar të planetit duke i ofruar plot 25 mln pound në sezon.