Kuvendi voton sot krijimin e komisioneve të Vettingut. Pak orë para përfundimit të afatit të dorëzimit të emrave të kandidatëve kryeministri Rama shkruante se “Sot në kuvend nis rruga e Vettingut. Mund ta bllokojnë përkohësisht por s’do ta pengojnë popullin të heqë qafe pengmarrësit e drejtësisë”.
Ndërkohë në Kuvend janë dorëzuar kandidaturat e katër deputetëve, Vasilika Hysi dhe Ulsi Manja, nga Partia Socialiste, Luan Rama nga Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Shpëtim Idrizi nga PDIU, kandidaturë e cila nuk gëzon mbështetjen e mazhorancës.
Opozita ka deklaruar qartazi se nuk do të bëhet pjesë e këtij procesi, afati në zyrat e kryesisë së Kuvendit për të dorëzuar kandidaturat është ora 16.00, vetëm dy orë përpara seancës së jashtëzakonshme të Parlamentit, për të ngritur komisionet ad-Hoc të Vettingut.
Ky komision do të përbëhet nga 6 anëtarë gjithsej, 3 të mazhorancës dhe 3 të opozitës. Emrat që më pas do ti shkojnë parlamentit për tu votuar në seancë, do të vendosen në mbledhjen e konferencës së kryetarëve rreth orës 17.00. do të jetë komision që do të zgjedhë më pas 27 anëtarët e organeve të vettingut.
Por bojkoti i opozitës e bën të pamundur ngritjen e komisionit njëkohësisht bllokon edhe nisjen e procesit të vettingut. Është pikërisht vettingu, procesi që thuhet se ka ndezur tensionin politik. Të paktën kështu komentohet nga përfaqësuesit e mazhorancës, por dhe ata të opozitës. Vettingu është kryefjalë edhe e ndërkombëtarëve që theksojnë nevojën e zbatimit në mënyrë që Shqipëria të përfitojë hapjen e negociatave për anëtarësim.