Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj priti këtë të martë një delegacion të policisë italiane, të kryesuar nga gjenerali Gennaro Capolungo.
Në fjalën e tij gjatë takimit, ministri Xhafaj parashtroi prioritetet e punës së tij në luftën kundër krimit, duke vlerësuar mbështetjen e vazhdueshme të partnerëve italianë në këtë drejtim.
Xhafaj e vuri theksin tek “nevoja urgjente” për nisjen e operacioneve të përbashkëta në luftën kundër kultivimit të kanabisit në të gjithë territorin e Shqipërisë, si dhe për goditjen e grupeve kriminale të përfshira në këtë aktivitet.
Gjithashtu, palët diskutuan për nevojën e intesifikimit të shkëmbimit të informacionit në kohë reale dhe pjesëmarrjen në hetime të përbashkëta.
Nga ana e tij, gjenerali Capoluongo vlerësoi me nota pozitive prioritetet e prezantuara nga ministri i Brendshëm dhe bashkëpunimin që ka pasur në vitet e fundit me autoritetet shqiptare.
Ai theksoi se Italia do ta mbështesë Shqipërinë në çdo hap dhe me të gjitha mjetet e nevojshme për përmbushjen e angazhimeve, të cilat janë me interes të përbashkët.