Policia e Shtetit ka marrë masa shtesë për rritjen e sigurisë së qytetarëve gjatë Pashkëve, duke kaluar në shërbim të përforcuar me qëllim garantimin e rendit.
Është hartuar një plan i veçantë masash për këtë qëllim. Në këtë kuadër, janë marrë masa në drejtim të rritjes së prezencës policore në territor, me qëllim parandalimin e ngjarjeve kriminale dhe të ruajtjes së rendit dhe të sigurisë në objektet fetare si dhe në ambjentet ku do zhvillohet festa e Pashkëve.
Në drejtim të rritjes së sigurisë rrugore, duke shtuar patrullimet e Policisë Rrugore në akset nacionale dhe akset kryesore rurale.
Masa janë marrë edhe nga Policia Kufitare në burime njerëzore dhe infrastrukturore.
Në porte, aeroport dhe në pikat e kalimit kufitar, janë shtuar sportelet me qëllim krijimin e lehtësirave ligjore për të gjithë shtetasit vendas e të huaj që do të hyjnë apo dalin nëpërmjet pikave të kalimit porteve dhe aeroportit duke shmangur vonesat dhe radhët e gjata.
Masa janë marrë edhe në drejtim të parandalimit të ngjarjeve me karakter terrorist.