Transmetuesi rus Kanali Një nuk do të transmetojë Festivalin Evropian të Këngës, muajin e ardhshëm, pasi këngëtarja ruse është ndaluar të hyjë në Ukrainë, vendin mikprites të Eurosong-ut.
Vendimi i heq çdo shans Rusisë për të konkurruar këtë vit, tha Unioni i Transmetuesve Evropianë.
Ukraina refuzon t’i lejojë këngëtares Julia Samoilova të performojë në Eurovizion, sepse ajo ka vizituar Krimenë, gadishullin e aneksuar nga Rusia më 2014.
Unioni i Transmetuesve Evropianë e ka dënuar këtë ndalim.
Unioni, i cili prodhon Eurovizionin, ka thënë se Ukraina po dëmton natyrën jopolitike të garës.
Unioni i Transmetuesve Evropianë po ashtu ka thënë se i ka ofruar Kanalit Një dy zgjidhje të mundshme: një ishte që Samoilova të këndojë nga Rusia, përmes satelitit, dhe tjetër ishte mundësia që një garues tjetër të shkonte në Ukrainë.
Të dyja propozimet janë refuzuar nga Rusia.